Ruçi la politikën, vajza e Finos anëtarësohet në PS, Rama: Mandati i tretë mes lavdisë dhe turpit

schedule23:00 - 12 Qershor, 2021

schedule 23:00 - 12 Qershor, 2021

Nga Esiona Konomi

Ditëlindja e 30-të e Partisë Socialiste riktheu Fatos Nanon në një mesazh për familjen e tij politike. Dokumentari për rrugëtimin e partisë risolli pranë Ramës, edhe Arta Daden, e cila ju bashkua kongresit edhe fizikisht, pavarësisht kritikave të forta me kryeministrin.

Ilir Meta nuk u shfaq si kontribuues në PS, por segmenti i përzgjedhur ishte vetëm ai i ditës së tij më të errët, videoja me Dritan Priftin.

Emrin e ish-kryeministrit socialist, e përmendi vetëm Gramoz Ruçi, si njëri prej katër të rinjve që trokitën ne derën e PS-së në ditët më të vështira.

Por kryetari i Kuvendit, i la të gjithë me sytë hapur, kur njoftoi ndarjen e tij përfundimtare nga politika pas 30 viteve.

E nëse Ruçi është nga sot e shkuara e Partisë Socialiste, lidhjen e brezave e dokumentoi Megi, vajza e të ndjerit Bashkim Fino, duke u bërë pjesë e strukturave të PS-së. Rama i kushtoi gjysmën e fjalimit Ruçit, që e quajti këshilltari më i vyer e besnik.

Më pas kryeministri u ndal te sfidat që e presin. Mandatin e tretë të Partisë Socialiste, ai tha se e ndan një fije e hollë mes lavdisë dhe turpit.

Edi Rama u angazhua që në 4 vitet e ardhshme të ndajë përfundimisht administratën nga militantët, të ndërtojë një qeveri me të arsimuar jashtë dhe të braktisë konfliktin e kotë me kundërshtarin politik.

Të pastrojmë gjakun e PS-së” tha ai.

Edi Rama është i bindur se për të mbyllur me nder 12 vitet e tij si kryeministër, i duhet një ndarje e partisë nga shteti. Kryeministri paralajmëroi një qeveri larg përfaqësimit partiak.

Duke e sfiduar veten për një 4 vjeçar me fjalime të shkurtra e punë më të mëdha, u angazhua të rindërtojë edhe marrëdhënien me kundërshtarin politik. d.b/Abcnews.al