Drejtësia britanike dënoi me 16 muaj burg një shqiptar, i cili u kap teksa kujdesej për një fabrikë kanabisi në Stoke.
Pas dënimit, Valter Metkaj, 26 vjeç, do të deportohet menjëherë në Shqipëri. I riu shqiptar u kap 6 muaj pasi shkoi në Britani. Ai kujdesej për një fabrikë kanabisi me vlerë 33 mijë paund. Ajo ishte ndërtuar në një shtëpi në Stoke.
Mediat britanike shkruajnë se Metkaj arriti në ishull, i fshehur në një kamion. Ai u detyrua të punonte në fabrikë në mënyrë që t’i paguante borxhin prej 13 mijë eurosh personit që e trafikoi në Mbretërinë e Bashkuar. Shtëpia ku ai punonte u zbulua muajin e kaluar në rrugën Londsdale në qytetin Stoke.
Prokurori i çështjes tha se gjatë kontrollit në pronë u zbuluan një numër i madh dhomash, duke përfshirë edhe papafingon që ishin kthyer në vende për prodhimin e kanabisit.
Gjithsej u bllokuan 210 rrënjë, të cilat në përfundim do të gjeneronin 33 mijë paund fitime. Metkaj mësohet të ketë thënë para policëve se kishte shkuar në Britani për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike në Shqipëri. Pavarësisht kësaj gjykatësi e dënoi shqiptarin me 16 muaj burg dhe dëbim të menjëhershëm sapo të përfundojë dënimin./abcnews.al