Tuna ka bërë një rrëfim emocionues pas kthimit nga Siria, ku udhëtoi si pjesë e organizatës “For Children Smile” për t’ju ardhur në ndihmë fëmijëve që kanë përjetuar luftëra. Krahas disa fotove që ka ndarë në rrjete sociale, këngëtarja e ka përshkruar si udhëtimin më emotiv të jetës së saj.
“Ishte udhëtimi më emotiv në jetën time. Janë emocione që shkojnë përtej mundësisë për t’i përshkruar me fjalë. Dhembja e atyre që i pash të ngjitet për shpirti dhe të trishton, të bën të ndjehesh fajtor për skamjen, trishtimin dhe frikën me të cilën jetojnë çdo ditë. Nga ana tjetër të bën të ndjehesh i bekuar dhe me fat për ato që ke dhe t’ia kujtosh vetes çdo ditë.
Çdo shikim që më ndeshej me vogëlushët sirian para syve më sillte Tianin dhe Zenin tim, lotët rrëshqisnin e nuk arrija t’i kontrolloj as me profesionalizmin që e mësova ndër vite – është diçka më e fuqishme, diçka që më mundte! Çdo bisedë me të rriturit më rikonfimonte se gjëja më e rëndoshme për një prind është të shoh buzëqeshjen në fytyrën e fëmisë së vet i bindur se meriton fëmijëri të lumtur.
Fëmijët që takova kishin në sytë e tyre pikëllim të papërshkruar. Ata në vitet e para të jetës mbajnë mbi supe ngarkesa që nuk do të doja të ishin mbi supet e asnjë fëmije në botë. Të gjithë ata që i thurrin lavde luftës nuk e kanë parë dhimbjen dhe dëshpërimin në sytë e këtyre fëmijëve. U ktheva e riformësuar. Jam një Tuna tjetër.
E lumtur me “po”-në që e thash për këtë iniciativë. Sepse dua bota të jetë ndryshe, sepse dua Tiani dhe Zeni të rritet në një botë me më shumë buzëqeshje fëmijësh. Në një botë më të mirë. Unë sapo kam filluar rrugën për të dhënë kontributin minimal për një buzëqeshje fëmijësh atje ku ajo më së shumti mungon.“, ka shkruar ndër të tjera këngëtarja.
/abcnews.al