Epokë e re për Francesco Totti. Ish-fantazisti i Romës, një legjendë e futbollit italian, po mendon të nisë një rrugëtim të ri në botën e futbollit. Menaxhimi është fusha e zgjedhur dhe në nëntor ai zhvilloi një takim në Londër me David Manasseh, për të bashkëpunuar me Stellar Group.
Totti është hedhur tashmë në kërkim të talenteve të rinj dhe emri i parë që po tenton ta marrë në menaxhim është sulmuesi i Interit, Sebastiano Esposito. Futbollisti 17-vjeçar është debutuesi më i ri në Champions me zikaltrit, ndërkohë që ka provuar të luajë edhe një ndeshje në Serie A këtë sezon.
Esposito mund të jetë goditja e parë e agjencisë së Tottit. Kontaktet e parë me familjen e lojtarit dhe menaxherin Carpeggiani kanë nisur, ndërkohë që thuhet se ka edhe një akord që mund të konkretizohet me firmë në fillim të vitit 2020. /abcnews.al