Bajram Begaj do të depozitojë kërkesën për dorëheqjen e tij si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pasi është propozuar nga Partia Socialiste për president. Mirëpo, kjo procedurë përfshin edhe kryetarin aktual të shtetit, Ilir Meta, i cili duhet të bëjë lirimin, pasi është Komandat i Përgjithshëm i FA.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, Taulant Balla tha se ka vetëm 90 minuta kohë që Meta të bëjë lirimin e Begajt nga posti në FA dhe në këtë mënyrë të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt Presidencës për ta pasuar. Megjithatë, Balla tha se e kanë menduar zgjidhjen nëse Meta iu krijon një ngërç në këtë proces.
Lexo edhe: Rama kërkon votat për Begajn: Keqardhje për ndonjë deputet…
“Kandidati ka depozituar kërkesën e tij për dorëheqje nga detyra kështu që është një aspekt i rëndësishëm por në legjislacionin përkatës ligji për FA ushtarakët duhet të japin dorëheqje para se të emërohen apo zgjidhen. Kjo procedurë do të përfshijë brenda orëve në vijim edhe president aktual që duhet të bëjë lirimin. Kjo mendoj unë nuk duhet të jetë një betejë e radhës. Kemi menduar edhe mënyrën e zgjidhjes nëse na krijohet ndonjë ngërç me presidentin”, tha Balla.
Në mbledhjen e Kryesisë dje socialistët propozuan Bajram Begaj për president të ri të vendit. Kandidatura e tij do të depozitohet në orën 12:00 në Kuvend me 20 firmat mbështetëse, siç e parashikon Kushtetuta. Ndërsa orën 18:00 do të mbahet seanca e posaçme në Kuvend për ta votuar.
Çfarë parashikon Kushtetuta?
Që Bajram Begaj të bëhet Presidenti, duhet që të dorëhiqet nga detyrat e tjera. Dorëheqja e tij nga këto poste diktohet nga neni 89 i Kushtetutës së Shqipërisë.
Sipas këtij neni, Presidenti nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike si dhe nuk mund të jetë kryetar partie.
“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, thuhet në nenin 89 të Kushtetutës së Republikës.
Ndërkohë, gradën gjeneralmajor mund ta mbajnë vetëm oficerët aktivë.
Po ashtu, Neni 167 i Kushtetutës është një arsye tjetër se përse Bajram Begaj duhet të japë dorëheqjen para votimit në Kuvend.
Ky nen përcakton: “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.
Pjesëtarët e forcave të armatosura ose personat që kryejnë shërbim alternativ gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë kushtetuese përveç rasteve kur ligji parashikon ndryshe”.
Por, duke qenë se edhe detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, si dhe gradën gjeneralmajor, Begaj e ka marrë me dekret nga Presidenti Meta, edhe dorëheqja e tij nga këto poste duhet të pranohet nga kreu i shtetit. g.v/abcnews.al