Në verë i mbyt pluhuri, në dimër balta. Kjo është gjendja e rrugëve të Ksamilit prej vitesh.
“Balta është, ndriçim nuk kemi. Kalojmë me dritë elektrike nga ana tjetër”, shprehet një qytetare.
“Jam 16-vjeçe dhe nuk kam kaluar asnjë ditë me kënaqësi në vendin tim. Ja e shihni se si më dërgon nëna në shkollë, me baltë në gju, sepse kështu është katandisur Ksamili”, shprehet ajo.
Ata tregojnë se janë ankuar, por s’kanë gjetur zgjidhje.
“Rrugët janë të pa rregulluara, ecin sipas interesit të vet. Tani është Bashkia, sërish jemi ankuar, por prapë nuk jemi si duhet. Të tjerë kalojnë nga pjesa që është bërë rruga. Kurse këtej nga ne shumë pak kalojnë. Por tani që bëhet baltë është e vështirë. Gjithmonë në fushata na thonë se do ta rregullojnë, por marrin votën e ikën”, tregon një banore.
Vështirësi hasin veçanërisht gjatë natës.
“S’kemi drita, natën nuk shkojmë dot në supermarket apo në farmaci. Kërkojmë që shteti të vejë dorën në zemër”, tregon 16-vjeçarja.
Durimit të tyre u ka ardhur fundi.
“Nëse do të më jepej mundësia do të futesha dhe do ta rregulloja me dorën time këtë vend sepse këtu jam jetuar e dua ti shoh të tjerët të lumtur”, shprehet më tej 16-vjeçarja.
Banorët thonë se nuk e mbajnë mend se kur është bërë rikonstruksioni i fundit total i rrugëve të kësaj zone turistike.
/abcnews.al/