TIRANË– Shqipëria është e qartë në orientimin e saj europian dhe e angazhuar për mbylljen sa më parë të negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Kryeministri Edi Rama thotë se integrimi në BE do të jetë bekim për Shqipërinë, por Brukseli duhet të ndryshojë metodat e ngadalta të zgjerimit.
Shefi i qeverisë shqiptare kritikoi dhe qasjen e BE ndaj Ukrainës, e cila siç tha ai duhet të anëtarësohet sa më parë në familjen europiane.
Analisti Frrok Çupi, u shpreh në “News Line” se Shqipërisë i është dashur të kalojë sfida dhe peripeci të shumta për të arritur në pozitat e tanishme.
Ai pohoi se aktualisht jemi në hapin e parafundit për përmbylljen e kapitujve negociues me Bashkimin Europian, ndërsa vlerësoi angazhimin e qeverisë për ta çuar përpara “bastin” e anëtarësimit të vendit në BE, brenda vitit 2030.
“Për të ardhur këtu është dashur guri i Sizifit për ta ngjitur deri këtu, Për shkak të marrëdhënieve të drejtpërdrejta dhe të sinqerta, kryeministri i Shqipërisë mund të përshpejtojë procesin e punës në BE.
Tani jemi në një moment, që Shqipëria të hidhet në hapin e parafundit në mbylljen e grupkapitujve.
Kjo që thotë Rama, për qëndrimet e BE, janë qëndrime të përllogaritura të Shqipërisë. Janë sinjale që në BE ka probleme, ka forca, të cilat nuk e përkrahin zgjerimin aq sa Europa të vijë në këto zona, por e perceptojnë si një lutje të këtyre zonave për të hyrë në BE”, tha ai.
Gjatë diskutimit në studio, Çupi pohoi se Shqipëria është kthyer në një faktor të rëndësishëm rajonal dhe më gjerë dhe ky moment duhet shfrytëzuar.
“Jemi kthyer në një faktor të rëndësishëm. Shqipëria është në vëmendjen e Europës.”, tha ai./abcnews.al


