Rruga e mëndafshit, Kina josh Italinë

schedule22:39 - 22 Mars, 2019

schedule 22:39 - 22 Mars, 2019

Ndërsa po kërkon depërtimin në kontinentin e vjetër, Kina ka zgjedhur të flirtojë me Italinë, duke i kujtuar asaj marrëdhëniet e vjetra tregtare, që mund të rikthejnë atë që njihet si Rruga e Mëndafshit. Por ndërkohë që Roma është shfaqur shumë dashamirëse kundrejt Pekinit, lëvizja nuk është mirëpritur në BE, që fuqinë aziatike e sheh si konkurrente dhe jo aleate.

Italia dhe Kina dëshirojnë të ringjallin shpirtin e moçëm të rrugës së mëndafshit, duke thelluar marrëdhëniet tregtare dhe rritur investimet mes tyre. Kështu ka deklaruar të premten presidenti kinez Xi Jinping, gjatë një vizite zyrtare në Romë, që nuk është parë me sy të mirë nga Uashingtoni.

Ditën e shtunë, presidenti Xi pritet të nënshkruajë një marrëveshje që do ta kthejë Italinë në anëtaren e parë të grupimit G7 që i bashkohet projektit infrastrukturor kinez “Brezi dhe Rruga”, i hartuar në bazë të rrugëve historike tregtare.

“Ne dëshirojmë ta rikthejmë rrugën e vjetër të mëndafshit në mënyrë që të ndajmë sa më mirë frytet e progresit humanitar”, ka deklaruar Xi pas një takimi me homologun italian Sergio Matarella.

Xi ka shtuar se, dy vendet duhet të nxisin më tej bashkëpunimin në fushën e infrastrukturës, logjistikës dhe transportit detar. Qeveria populiste e Italisë është e etur për të nxitur një rritje të shpejtë të tregtisë, në përpjekje për të ringjallur ekonominë e rrënuar, që ka hyrë në recesionin e tretë në një dekadë.

Por teksa Roma po përpiqet të avancojë marrëdhëniet me Pekinin, aleatët europianë po bëhen gjithnjë e më skeptikë. Liderët e BE-së në Bruksel paralajmëruan të premten se Kina duhet të trajtohet më tepër si një konkurrente se sa si partnere.

“Koha e naivitetit europian ka marrë fund. Kina është një rival sistematik i BE-së”, ka deklaruar për mediat presidenti francez Emmanuel Macron.

Por një kujdes i tillë nuk u vu re në Romë, ku presidentit Xi iu ofrua një pritje ekstravagante, me një korte kalorësish që shoqëruan limuzinën e tij për në pallatin presidencial, një pritje kjo që zakonisht u rezervohet familjeve mbretërore./abcnews.al