Rruga drejt një armëpushimi në Ukrainë është plot me kurthe

schedule15:39 - 9 Korrik, 2022

schedule 15:39 - 9 Korrik, 2022

Nga Hugo von Essen & Andreas Umland “Foreign Policy”

Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Ndërsa vazhdon sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës dhe teksa po zgjerohen pasojat e tij globale, po flitet gjithnjë e më shumë për një marrëveshje të negociuar që t’i japë fund gjakderdhjes. Por sesi dhe në cilat kushte mund të arrihet një marrëveshje e tillë, është subjekt i debateve të ashpra, ku shumëçka mbetet e mjegullt.

Shumë ekspertë dhe zyrtarë thonë se vetëm një humbje e qartë e Rusisë, mund të krijojë shanset për të frenuar ambiciet perandorake të Kremlinit. Megjithatë duhet të jetë e qartë, se një armëpushim i ri midis Rusisë dhe Ukrainës, nuk duhet të përsërisë gabimet fatale që u bënë pas pushtimit të fundit rus të Ukrainës në vitin 2014.

Marrëveshjet problematike të Minskut, të negociuara gjatë vitit 2014 dhe fillim vitit 2015, i hapën përfundimisht rrugën luftës aktuale. Në dallim nga besimi i përhapur, Marrëveshjet e Minskut nuk ishin një instrument i mundshëm zgjidhjeje apo një rrugë drejt paqes. Përkundrazi, ato ishin pjesë përbërëse e problemit, dhe diktuan strategjitë e Rusisë që çuan në pushtimin e këtij viti, raporton abcnews.al.

Në 2014 dhe 2015, bashkë-negociatorët kryesorë perëndimorë – kancelarja gjermane Angela Merkel, presidenti francez François Hollande dhe ministrat e tyre të jashtëm – menduan se kishin negociuar një rrugë drejt një paqeje të qëndrueshme, ndërsa presidenti rus i pa marrëveshjet si një mjet tjetër për të arritur qëllimin e tij për një kontroll më të madh mbi vendimet e Kievit.

Në fakt, marrëveshjet rezultuan të ishin vetëm një prelud i pushtimit të këtij viti.

Në shtatorin e vitit 2014, në Betejën e Ilovaisk në rajonin Donetsk, ushtria ukrainase pësoi një disfatë të rëndë përballë forcave tokësore ruse, të cilat kishin hyrë në Ukrainën Lindore nën pretendimin se ishin “rebelë separatistë” me uniforma pa simbole. Nga frika e humbjeve të tjera të rëndësishme, Kievi ra dakord për negociata me Moskën në kryeqytetin e Bjellorus.

Protokolli i Minskut që doli nga ato bisedimeve, kënaqi më shumë interesat ruse, duke ratifikuar decentralizimin e Ukrainës, dhe duke kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në territoret e kontrolluara nga Rusia. U vendos një armëpushim i brishtë, por konflikti nuk u zgjidh. Armëpushimi u prish shpejt dhe në shkurt 2015 Ukraina pësoi një tjetër humbje dërrmuese në Debaltseve.

Për të shmangur sulmet e tjera ruse më në thellësi të vendit, Kievi nënshkroi të ashtuquajturin Minsk II, ku u përjashtua Krimeja. Së pari, Marrëveshjet e Minskut shpërblyen Moskën, dhe e legjitimuan përmbysjen e së drejtës ndërkombëtare. E meta kryesore e tyre ishte shpërfillja e dukshme e sovranitetit të Ukrainës nga Rusia, dhe shkelja e qartë e traktateve të shumta të mëparshme.

Marrëveshjet u pranuan nga Ukraina për shkak të presionit të madh. Moska e rriti qëllimisht presionin ushtarak ndaj Kievit para dhe gjatë negociatave, gjë që i dha mundësi Kremlinit të diktonte përkufizimin e konfliktit dhe zgjidhjen e supozuar. Ç’është më e keqja, zbatimi i mëvonshëm i marrëveshjeve, u karakterizua nga një mungesë e dukshme e presionit perëndimor ndaj Rusisë, për t’iu përmbajtur në mënyrë rigoroze rregullave të shkruara dhe frymës së marrëveshjeve.

Premisa e Marrëveshjeve të Minskut, bazohej në një gënjeshtër themelore të promovuar nga Rusia dhe e përcjellë më tej me dembelizëm nga shumë bashkëbisedues perëndimorë: që rajonet e Ukrainës dëshironin të shkëputeshin. Negociatorët gjermanë, francezë dhe të tjerë perëndimorë e konsideruan Rusinë një palë në konflikt, dhe supozuan se Kremlini do t’i pranonte dhe zbatonte marrëveshjet, raporton abcnews.al.

Së dyti, Marrëveshjet e Minskut i shpërfillën standardet demokratike bazë. Meqë Berlini dhe Parisi, i besuan që në fillim trillimeve të Moskës, se konflikti ishte midis Ukrainës dhe “separatistëve” të saj, pyetja ishte se kush do të përfaqësonte në mënyrë legjitime rajonet e supozuara separatiste në Kiev dhe arenën ndërkombëtare?

Në fillim Kievi shfaqi gatishmërinë e tij për të përmbushur me shpejtësi angazhimet denigruese të Minsk I. Ai shpalli datën e zgjedhjeve lokale në territoret e pushtuara sipas ligjit ukrainas. Por një muaj përpara zgjedhjeve të planifikuara, dy “republikat popullore” të kontrolluara nga Moska në Donbas i kryen vetë zgjedhjet, një shkelje kjo e qartë e marrëveshjes. Ato zgjedhje të manipuluara përjashtuan partitë politike të Ukrainës – madje edhe ato pro-ruse – dhe u dhanë liderëve të shteteve kukull të Rusisë në Ukrainë një legjitimitet të rremë.

Kjo shkelje e hershme dhe thelbësore e Minsk I nga ana e Moskës i prishi të gjitha negociatat në vijim, duke ua bërë të qartë të gjithëve se Kremlini nuk kishte ndërmend të respektonte asnjë zgjidhje të negociuar, se po forconte kontrollin e tij mbi shtetet-kukull, dhe synonte t’i përdorte ato si një mjet për të ndikuar mbi politikën e Kievit.

Së treti, Marrëveshjet e Minskut krijuan një bazë të re për sjelljen e Rusisë, të cilën Perëndimi dukej i gatshëm ta pranonte. Kievi i nënshkroi marrëveshjet e Minskut për të parandaluar inkursionet edhe më të thella ushtarake ruse në territorin ukrainas. Por në vend se t’i kundërshtonin taktikat ruse, perëndimorët u përpoqën vazhdimisht të ushtronin presion ndaj Kievit për lëshime të reja dhe të njëanshme që minonin sovranitetin e vendit, raporton abcnews.al.

Ata sugjeruan që Ukraina t’u jepte zonave të kontrolluara nga Rusia një status special të përcaktuar me kushtetutë, dhe të zhvillonte atje zgjedhje lokale, edhe përpara se trupat e parregullta të Rusisë të tërhiqeshin apo çarmatoseshin.  Kështu Moskës iu lejua vazhdimisht të korrte frytet e agresionit të saj ushtarak në konsultime dhe konfrontime të ndryshme me viktimën e saj ukrainase. Shpresojmë që do të nxirren mësimet e duhura nga fakti se qasja perëndimore ndihmoi në hapjen e rrugës drejt luftës aktuale.

Marrë me shkurtime

Shënim: Hugo von Essen dhe Andreas Umland, analistë në Qendrën për Studimet e Evropës Lindore në Institutin e Çështjeve Ndërkombëtare në Stokholm, Suedi.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!