Një jetë me metër dhe gërshërë në dorë. Fiqiri Haxhiaj është ulur për herë të parë në makinën qepëse 55 vite më parë dhe që nga ajo kohë nuk është ndarë asnjë ditë prej saj.
Zanatin e mësoi nga tezja e tij dhe nisi ta ushtronte kur ishte vetëm 15 vjeç. 70 vjeçari ka qenë i lidhur gjithnjë mes sportit dhe rrobaqepësisë, por këtë të dytën e bëri profesionin e jetës.
“Që në 8-vjeçare e kisha pasion, merresha dhe me sport dhe më pëlqente të qepja bluzat, dhe nisa me gjëra të thjeshta, kështu vazhdoi gradualisht. Edhe në kohën e ushtrisë atje punoja si këpucar dhe rrobaqepës”, shprehet Haxhiaj.
Vitet e rinisë i kaloi në diktaturë si rrobaqepës, për atë periudhë një ndër zanatet më të rëndësishme.
Nga ajo kohë, Fiqiriu kujton vështirësitë e të rinjve për të ndjekur modën, në një sistem që kontrollonte dhe ndalonte edhe gjërat elementare.
“Kur u futën xhinset për herë të parë, pastaj shteti i ndaloi dhe metrazhet që mbetën nisën t’i bënin dyshekë. dhe njerëzit për ti pasur xhinset fshehurazi filluan të shkepin dyshekët dhe i sillnin, sportistët bënin shumë”, tha ai.
Në vitet 90 provoi emigrimin si çdo shqiptar tjetër. Në Milano, kryeqytetin e modës në botë mori mësime mbi dizajnin.
“Ngeli shumë i kënaqur ai pronari ku punoja unë më coi në një kurs në Milano për dizajn. dhe punova goxha vite. qepnim për Versace”, u shpreh Haxhiaj.
Ndonëse punoi në Itali për kompanitë e mëdha të modës në botë, zemrën e kishte në Tiranën e tij të lindjes, tek e cila u kthye sërish.
Teksa ka një jetë në makinën qepëse, mjeshtri 70-vjeçar nuk nguron të tregojë sekretet e zanatit.
“Është precizioni mbi të gjitha. Nëse nuk janë bërë matjet matematikore mirë nuk del prodhimi i mire”, tha më tej ai.
Dikur puna më e madhe bëhej me dorë dhe sot si shumë profesione të tjera edhe edhe rrobaqepësia është bërë më e lehtë.
“Për të qepur një këmishë sot duhen tetë makina. Se ka ndryshuar nuk është si atëherë ku me një makinë e nisje dhe e mbaroje këmishën. tani makinat kanë program e ke shumë më të thjeshtë”, u shpreh Haxhiaj.
Fiqiriu kujton me nostalgji kërkesat e çuditshme të klientëve ndër vite.
“Sportisti Piro Koleka dikur më pruri një xhins nga Jugosllavia, ngeli shumë i kënaqur me pantallonat por një shok i vet ia bëri fiksim për xhaketën, të rri shumë e ngushtë i tha. mos ki merak ta zgjeroj unë i thashë. e bëra me shkumës. sa iku e fshiva shkumësin dhe kur vjen ta marrë shumë mirë më rri tani. unë nuk e kisha prekur fare”, u shpreh ai.
Keqardhje ndjen që të rinjtë e sotëm nuk kanë interes për të mësuar zanatin e tij.
“Mbaj mend dikur më kërkonin shokët t’i mësoja, tani nuk të thotë njeri më mëso, djemtë jo njëherë, vajzat më ndryshe edhe vinë”, thotë Haxhiaj.
Fiqiriu punon çdo ditë me orë të gjata. E në këto ditë, që kombëtarja zhvillon sfidat në Euro2024 punën ia kanë shtuar porositë me fanellën e kombëtares. Si një ish arbitër këtë fanellë e punon me më shumë pasion.
“Broja, Asani, Asllani, janë ndër më të kërkuarit që i duan. po ka edhe nga ata që i duan me emrat e tyre, sidomos për fëmijë ka shumë kërkesa. në moshën tonë e kishim ëndërr të kishim një bluzë futbolli, tani prindërit sakrifikojnë për fëmijët”, thotë 70-vjeçari.
Zanatin e tij të rrobaqepësisë 70 vjeçari nuk ia trashëgoi asnjërit nga katër fëmijët e tij. Por ndonëse në pension prej disa vitesh, nga makina qepëse nuk do të ndahet.
“Pas viteve 90 fillova punë te riparim shërbimet. Më pas nisa në një rrobaqepësi në qytet studenti. Aty qepja vetëm për të rinj studentë. Në vitin 1998 provova emigrimin. Më pas u rikthye përsëri puna më e madhe dikur bëhej me dorë atëherë një model kishte.”
/abcnews.al/