Rrjetet sociale shihen çdo ditë e më shumë si një rrezik për fëmijët në mbarë botën. Një ndër rastet më të fundit ishte humbja e jetës së 18 vjeçarit shqiptar në Itali, Lorenzo Pjetrushi, i cili humbi jetën teksa po realizonte një video për TikTok, pasi u rrëzua nga pjesa e sipërme e makinës, ku kishte hipur.
Ekspertët Daniel Kordhoni dhe Mirgit Vataj, në një intervistë për “Virtual Wars” folën edhe për ndikimin që mund të kenë rrjetet sociale në vendin tonë. Ata shprehen se Shqipëria ka mangësi ligjore në monitorimin e aplikacioneve të ndryshme në internet që mund të paraqesin rrezik për të rinjtë.
“Shqipëria ka shumë mangësi ligjore për monitorim ose infrastukturën e monitorimit e aplikacioneve të ndryshme në internet dhe provat i kemi dhënë me disa bllokime që ka bërë shteti me lojërat e fatit. Ka dështuar teknikisht sepse nuk është e mundur të bllokohet një aplikacion ndërkombëtar.“, u shpreh Kordhoni.
Ndërsa Vataj shtoi se nëse vendet e tjera kanë ende pikëpyetje sa i përket verifikimit të moshës në rrjetet sociale, Shqipëria e ka akoma më të vështirë për shkak se zhvillimet teknologjike janë të ngadalshme.
“Në Shqipëri mangësi në kuadrin ligjor dhe në aspektin teknik për të gjurmuar elementet sa i përket sigurisë online. Shqipëria ka pasur raste me humbje jete, bullizmi, me tentative vetëvrasjeje por kemi ndeshur dhe kemi pasur raste që nga bullizmi deri tek abuzimi seksual nëpërmjet rrjeteve sociale. Nëse vendet e tjera kanë pikëpyetjen e madhe në lidhje me verifikimin e moshës, në Shqipëri do të jetë e pamundur në çfarëdo lloj mënyrë sepse ne jemi të papërgatitur akoma për zhvillime teknologjike. Masat që merren nga vendi në proporcion me zhvillimet teknologjike dhe me rreziqet online janë të ngadalshme dhe të vonshme”, shtoi Vataj.
Sipas Vatajt, Tiktok është jashtë kontrollit në vendin tonë në lidhje me mënyrën dhe përdorimin e të rinjve. Kordhoni theksoi se duhen ndjekur protokollet që ndjek Youtube për verifikin por shtoi se ka probleme të tjera, si patentat e zhvillimeve teknologjike që nuk mund të kopjohen.
Kordhini shtoi se në rrjetin social TikTok kanë hasur edhe materiale të abuzimit seksual të fëmijëve në Shqipëri.
“Në Tiktok kemi hasur edhe materialet e abuzimit seksual në Shqipëri. Nëse në anglisht algoritmat janë funksional sa i takon gjuhës së urrejtjes. Nëse duam të ngarkojmë një video me fjalë ofenduese në gjuhën shqipe e bëjmë lehtësisht për cfarëdo lloj moshe sepse tiktok nuk merr asnjë masë për raste të tilla.“, tha ai. /abcnews.al