Rrjedhja e të dhënave, Zuckerberg në PE: Ishte një gabim, kërkojmë falje!

schedule22:42 - 22 Maj, 2018

schedule 22:42 - 22 Maj, 2018

Mark Zuckerberg ka dëshmuar të martën në Parlamentin Europian në lidhje me rrjedhjen e të dhënave të përdoruesve të Facebook. Ndonëse ka pranuar se ka gabuar dhe ka kërkuar ndjesë, Zuckerberg nuk ka dhënë shumë detaje mbi skandalin që përfshiu kompaninë e lobimit “Cambridge Analytica”.

Shefi ekzekutiv i Facebook, Mark Zuckerberg u ka kërkuar të falur ligjvënësve të Parlamentit Europian për rrjedhjen masive të të dhënave të përdoruesve të rrjetit social. Zuckerberg kishte rënë dakord për t’u takuar me liderët e PE-së, për t’iu përgjigjur pyetjeve mbi skandalin që preku 87 milionë përdorues, 2.7 milionë prej të cilëve nga vendet e BE-së. Në fjalimin e tij, Zuckerberg tha se tashmë e ka të qartë se në vitet e fundit ai dhe stafi i tij nuk kanë bërë sa duhet për të parandaluar abuzimin me të dhënat.

“E kemi kuptuar se nuk kishim këndvështrimin e duhur për rëndësinë e përgjegjësive tona. Ishte një gabim dhe kërkojmë falje”, deklaroi Zuckerberg.

Sidoqoftë mbetet ende e paqartë se si Facebook lejoi kalimin e të dhënave tek kompania e lobimit “Cambridge Analytica” dhe nëse aktualisht po bën sa duhet për të parandaluar një përsëritje. Shfaqja e Zuckerberg në Bruksel vjen tre ditë përpara se rregullat e reja të BE-së për mbrojtjen e të dhënave të hyjnë në fuqi.

Rregullat në fjalë parashikojnë gjobitjen e kompanive me 4 për qind të të ardhurave vjetore nëse verifikohet një incident si ai i Facebook. Nga ana e tij, shefi ekzekutiv premtoi se rrjeti social do të punojë në përputhje me rregullat e Europës, ku brenda vitit do të punësojë 10 mijë persona./abcnews.al