Rrjedhja e informacioneve/ Si 21-vjeçari fitoi akses në dokumentet e klasifikuara amerikane

schedule09:26 - 15 Prill, 2023

schedule 09:26 - 15 Prill, 2023

Një gjykatë federale paditi ditën e djeshme, oficerin e ri ushtarak Jack Teixeira, i cili dyshohet se bëri publike një sërë dokumentesh të klasifikuara amerikane për luftën në Ukrainë, të cilat turpëruan Uashingtonin.

21-vjeçari Jack Douglas Teixeira u paraqit dje në gjykatën federale në Boston, në verilindje të Shteteve të Bashkuara, me uniformën e të burgosurve.

Anëtari i Gardës Kombëtare Ajrore të Massachusetts akuzohet për “mbajtje dhe transmetim të paautorizuar të informacionit në lidhje me mbrojtjen kombëtare” dhe “heqje dhe mbajtje të paautorizuar të dokumenteve ose materialeve të klasifikuara”, sipas një dokumenti gjyqësor.

Për këto dy akuza ai mund të dënohet përkatësisht me 15 vite burg. Prokurori i Përgjithshëm i SHBA Merrick Garland u zotua të kërkojë “dënime më të rënda”.

I riu u mbajt në paraburgim në pritje të një seance të mëtejshme të planifikuar për të mërkurën. Një ditë pas arrestimit të tij, të gjithë sytë ishin te ky ushtarak i ri, i cili përfitoi nga pozicioni i tij për të dërguar në një grup privat në rrjetet sociale Discord dokumente konfidenciale dhe të ndjeshme për operacionet në Ukrainë.

Që nga e enjtja, fotot e arrestimit të tij në Dayton, një qytet i vogël rural në Massachusetts, ose një foto e tij me uniformë kanë qarkulluar në mbarë botën.

Rasti ngre pikëpyetje në lidhje me shkeljet e mundshme të sigurisë dhe se si një ushtar i ri kishte askses në dokumente të tilla.

Dokumentet e klasifikuara, disa prej të cilave u qarkulluan më pas në Twitter dhe Telegram midis mediave të tjera sociale, kryesisht zbulojnë shqetësimet e inteligjencës amerikane për qëndrueshmërinë e një kundërsulmi ukrainas kundër forcave ruse.

Ata gjithashtu nxjerrin nëh pah se Uashingtoni po mbledh informacione për aleatët e tij më të ngushtë, veçanërisht Izraelin dhe Korenë e Jugut. Sipas gazetës amerikane “Washington Post”, këto tregojnë gjithashtu se shërbimet e inteligjencës amerikane kanë qenë në dijeni të katër balonave të tjera spiune kineze përtej asaj që u vu re në shkurt dhe u shkatërruan nga ushtria amerikane.

Një nga ato balona spiune fluturoi kryesisht mbi një aeroplanmbajtëse amerikane duke manovruar në Oqeanin Paqësor, tha gazeta. Garda Kombëtare njoftoi se Jack Teixeira u emërua në shtator 2019, se ai punonte si specialist i IT dhe komunikimeve.

Teixeira kishte një leje për aksesin në dokumente nga viti 2021, sipas deklaratës së një agjenti të FBI-së në mbështetje të prokurorisë.

“Personat që nënshkruajnë zotimet për të marrë dokumente të klasifikuara e dinë rëndësinë e sigurisë kombëtare të mos zbulimit të atyre dokumenteve. Dhe ne synojmë të dërgojmë një mesazh për të treguar se sa e rëndësishme është kjo për sigurinë tonë kombëtare,” vuri në dukje Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland.

Në grupin e tij Discord, ku Teixeira shërbeu si udhëheqës me pseudonimin “OG”, u formua në vitin 2020.

“OG” u kishte kërkuar anëtarëve të tjerë të grupit që të mos publikonin dokumentet, duke pohuar se ai nuk kishte ndërmend të bëhej dëshmitar i interesit publik, sipas Washington Post.

Ai ishte kritik ndaj shtetit, duke denoncuar “shpërdorimin e pushtetit” të tij,  forcat e rendit dhe komunitetin e inteligjencës. Sipas deklaratës së agjentit të FBI-së, Teixeira filloi të publikonte informacione të klasifikuara në dhjetor. Së pari, fragmente nga paragrafët e dokumenteve, pastaj fotot e vetë dokumenteve.

Presidenti amerikan Joe Biden u tha gazetarëve gjatë një vizite në Irlandë se ai i kishte kërkuar Pentagonit të sqaronte “pse” ushtaraku i ri “kishte akses në këto dokumente”.

“Unë nuk mendoj se kjo do të marrë shumë kohë,” vuri në dukje ai. Dhjetëra foto të dokumenteve të klasifikuara pa dyshim qarkulluan për javë, në mos muaj, përpara se të tërhiqnin vëmendjen e mediave.

Megjithatë, autoritetet amerikane nuk e kanë konfirmuar publikisht vërtetësinë e dokumenteve të postuara në rrjetet sociale.

Kjo nuk është konfirmuar ende as nga burime të pavarura. Shumë nga këto dokumente të klasifikuara nuk janë më të disponueshme në faqet e internetit në të cilat u bënë publike fillimisht.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!