Në buxhetin e vitit 2026, qeveria parashikon rritje pagash për punonjësit e sektorit publik dhe ndikim pozitiv në sektorin privat.
Kryeministri Edi Rama deklaroi se nga kjo rritje do të përfitojnë mësuesit, punonjësit e shëndetësisë dhe të policisë, të cilët do të marrin edhe shtesën e vjetërsisë në punë, e përkthyer në një mesatare prej 50 eurosh për gradat e ulëta.
Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e denoncimit të shkeljeve nga punëdhënësit që shmangin pagesat e sigurimeve apo tatimeve, duke garantuar mbrojtje ligjore për çdo punonjës që raporton raste të tilla.
“Nuk mundet shteti që të gjurmojë nga mbrapa të gjithë punëdhënësit e Shqipërisë dhe të zbulojë se kush bën hile në tatimet, te sigurimet, duhet që ta denonconi. Ne e kemi vendosur në ligj që punonjësi që bën një denoncim të tillë është i paprekshëm nuk të heq dot njeri nga puna. E kemi për detyrë që ta garantojmë.
Përtej pagës minimale, do të vazhdojnë edhe pagat e tjera. Do vazhdojnë të rriten të gjitha pagat për punonjësit për punonjësit e shtetit. Rritja e pagës minimale, sjell rritje të pagave të tjera edhe në sektorin privat. Edhe kjo mund të jetë pak, por e sigurte.
Nga rritja e pagave do të përfitojmë edhe punonjësit e shëndetësisë, mësuesit, punonjësit e policisë, që për hir të së vërtetës kanë pasur disa problematika që më në fund marrin zgjidhje të plotë, pasi do të përfitojnë edhe vjetërsinë që punë, që e kanë kërkuar prej kohësh. Vetë vjetërsia në punë përkthehet +50 euro në gradat e ulëta, pa folur për të tjerat”, tha kryeministri Rama./abcnews.al



