Më shumë se 14 mijë të infektuar me Covid u zbuluan në Shqipëri në afro dy javët e para të korrikut. Aktualisht numri i të prekurve kalon 9200 persona.
Një rritje e ndjeshme kjo në raport me fundin e qershorit dhe shumë më e lartë se e njëjta periudhë e vitit të shkuar kur në të gjithë vendin sipas të dhënave zyrtare numëroheshin 137 raste pozitive.
Shtimi i të infektuarve sipas mjekëve vjen për shkak të nënvarianteve të “Omicron” për të cilat thonë se janë më të transmetueshme dhe më të lehta se mutacionet e mëparshme të Covid.
“Si shfaqje klinike ne nuk kemi të dhëna të sakta sepse bëjmë matje pasive. Pacientët duhet të kenë simptoma e të paraqiten tek mjeku. Në qoftë se do të bënim fushatë testimesh apo testet do të shiteshin në farmaci do shihnim që një pjesë e madhe nuk kanë as këto shenja. Të dhënat që vijnë nga Anglia tregojnë se temperatura është e pranishme tek 1/3 e personave, disa mund të paraqesin dhimbje koke, trupi, shenja që s’i lidhin me Covid. Ky është aleati më i mirë i përhapjes”, thotë mjeku Ilir Alimehmeti.
Për t’u ofruar më tepër lehtësi qytetarëve dhe për të frenuar përhapjen e infeksionit, epidemiologu Ilir Alimehmeti mendon se testimi për Covid duhet liberalizuar.
“Në të gjithe Europën mund të shkosh në farmaci, supermarket dhe të blesh teste. Po ta kesh të disponueshëm me çmime të leverdishme mund të testohesh edhe nëse je rast kontakti, mund të mbrosh komunitetin dhe familjen”, thotë ai.
Shumica e të infektuarve po kurohen në shtëpi dhe vetëm 32 prej tyre po mbahen nën mbikqyrjen e mjekëve në spitalin Covid në Tiranë.
Të prekurit që kanë nevojë për ndihmë të specializuar kanë pësuar rritje në raport me një muaj më parë, por jo me ritmin e të infektuarve të rinj. Në krahasim me korrikun e vitit të shkuar rritja është më e ndjeshme.
Dy javët e fundit nuk kanë munguar as humbjet jetës. Sipas ministrisë së Shëndetësisë 17 persona kanë gjetur vdekjen për shak të komplikacioneve nga Covid 19.
RASTE AKTIVE
17 korrik 2021 137 persona
30 qershor 2022 2888 persona
16 korrik 2022 9270 persona
TË SHTRUARIT NË SPITAL
17 korrik 2021 5 pacientë
30 qershor 2022 19 pacientë
16 korrik 2022 32 pacientë
/abcnews.al