Pas rritjes së cmimeve të karburantit si pasojë e konfliktit në Lindjen e Mesme, kryeministri Edi Rama bashkëbisedoi të mërkurën me furnizuesit të naftës, të cilëve iu kërkoi të ruajnë ekuilibrin e cmimeve.
“Çmimi është rritur në mënyrë të moderuar. Gjithsesi sfida është e hapur, nuk di të thitë askush se kur do të mbyllet ajo betejë, që mban faktikisht lidhur pas vetes edhe çmimin e naftës. Nuk di të thotë askush se si do të shkojë çmimi në bursë, nëse do ketë rritje, stabilizim, por është e sigurt që ne mund të bëjmë atë që neve na takon. Duke nisur nga rezerva, konsiderohet që ju keni një rezervë të arsyeshme, në kontrata figuron e garantuar për rreth 100 ditë, megjithatë mbetet për tu monitoruar ditë pas dite situata.”
Rama tha se prioritet duhet të jetë mbrojtja e konsumatorëve ndërsa për momentin është e panevojshme ngritja e bordit të transparencës.
“Nuk kemi parë të arsyeshme që të hedhim hapin dhe të kalojmë në bord, pasi nëse dialogu funksionin siç ka funksionuar, qëllimin e kemi që t’u shtrëngojmë juve në punën tuaj. Por duhet të mëremi vesh që kriza në Lindjen e Mesme nuk duhet të projektohet e tëra mbi supet e konsumatorëve. Kjo do të thotë marzhe më të ulta fitimi për ju, por më mirë marzhe më të ulta se sa bordin në kurriz.”
Ndërsa nga shtesa e të ardhurave në buxhet, do të përfitojnë vetëm pensionistet.
“Një kategori që do të marrë më shumë sa herë që të jepet mundësia qoftë nga rritja ekonomike mbi parashikimin qoftë edhe nga të ardhura të rritura si pasojë e situatave të tyre dhe kjo kategori është ajo e pensionistëve. Askush tjetër nuk duhet të kërkojë nga buxheti i shtetit asgjë me shumë nga çfarë u takon.”
Rama rikonfirmoi se qeveria është në prag të finalizimit të nismës për krijimin e një distributori shtetëror për naftën.
“Ne jemi në punë për të finalizuar edhe një nismë që kemi ndërmarrë për të futur në treg, si distributor shumice, një faktor shtetëror, besoj do ta bëjmë më të lehtë për ju të gjithë punën, pasi do garantojë sasinë e nevojshme duke pasur mbështetjen shtetërore, dhe do të lehtësojë të gjitha marrëdhëniet me të tretët që për ju kalon përmes broker, ne do të synojmë të kemi marrëdhënie të drejtpërdrejtë me kompanitë.”
Sa I përket kërkesave për rishikimin e taksës së qarkullimit, Rama, dha këtë përgjigje.
“Nuk është problem që ulet këtu, po iku këtu do të shkojë diku tjetër. Nëse do shkojë diku tjetër, do shkojë në formën e taksës për automjetin. Filozofia në taksën e çmimit është, ndotësit më të mëdhenj duhet të paguajnë më shumë.”


