“Rritja ekonomike, sipas pritshmërive”, Banka Botërore: Inflacioni ulet këtë vit, kthehet në objektiv

schedule19:30 - 10 Janar, 2024

schedule 19:30 - 10 Janar, 2024

Përtej sfidave dhe inflacionit ekonomia shqiptare parashikohet të ketë rritje pozitive edhe gjatë këtij viti. Banka Botërore ka publikuar vlerësimet e fundit për ecurinë e ekonomisë globale. Ekonomia shqiptare  parashikohet që të jetë 3.2%  gjatë këtij viti, nivel ky i njëjtë edhe për vitin 2025.

Vlerësimi mbetet pothuajse i njëjtë me atë të bërë në vjeshtën e vitit të kaluar me një ulje minimale prej 0.1%. Në raport Banka Botërore ka një vlerësim më optimist për vitin 2023 i cili pritet të arrijë një nivel të rritjes së ekonomisë prej 3.6%

Pothuajse të gjitha vendet e rajonit pritet të kenë një rritje ekonomike rreth 3% gjatë këtij viti. Ndërkohë që sipas Bankës Botërore  ekonomia globale do të ngadalësohet në 2024, për të tretin vit radhazi dhe do të zgjerohet  vetëm  me 2.4% këtë vit.

Kjo normë është më e vogël se  rritja prej 2.6% në 2023, 3% në 2022 dhe shumë larg rritjes galopante në 2021 që rezultoi në 6.2%, që pasqyroi edhe rimëkëmbjen e fuqishme pas recesionit pandemik. Tensionet globale, që po lindin veçanërisht nga lufta e Izraelit me Hamasin por edhe konflikti në Ukrainë shihen edhe si faktorët kryesorë ndikues në këtë vlerësim pesimist.

Në vitet e fundit, ekonomia botërore ka dëshmuar sipas Bankës Botërore një elasticitet përballë goditjeve si pandemia, agresionit rus në Ukrainë, inflacionit në rritje dhe normave të larta të interesit që u ndoqën nga bankat qendrore për të rikthyer kontrollin e çmimeve të larta.

Inflacioni global sipas Bankës Botërore pritet të bjerë në 3.7% këtë vit, nga 5.3% që ishte një vit më parë. Sa i takon Eurozonës, zgjerimi ekonomik parashikohet të jetë modest me një rritje prej 0.7% këtë vit./abcnews.al

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!