Rritja ekonomike në ngadalësim, Sejko: Shkak rënia e eksporteve

schedule22:30 - 28 Mars, 2019

schedule 22:30 - 28 Mars, 2019

Banka e Shqipërisë vlerëson se për  periudhën e parë të këtij viti rritja ekonomike do të ngadalësohet për shkak të rënies së prodhimit të energjisë elektrike dhe eksporteve në disa sektorë. Por, guvernatori Gent Sejko nuk e lidhi këtë ngadalësim me situatën politike të krijuar në vend.

Banka e Shqipërisë parashikon një ekonomi të ngadalësuar në periudhën e fundit të vitit 2018-ë, por edhe në dy muajt e parë të këtij viti.

Guvernatori i bankës qendrore Gent Sejko tha se rënia e prodhimit të energjisë elektrike dhe ulja e fuqisë eksportuese të Shqipërisë do të japë një efekt frenues në rritjen e prodhimit kombëtar vendas.

 “Rritja ekonomike është ngadalësuar për shkak të rënies së prodhimit të energjisë elektrike. Ngadalësim pritet edhe për dy muajt e parë të këtij viti për shkak të rënies së eksporteve në energji dhe në disa sektorë të tjerë.”

Por kreu i Bankës së Shqipërisë nuk e lidhi ngadalësimin e rritjes ekonomike me situatën politike. Ai theksoi se çdo tension politik i përshkallëzuar nuk përçon sinjale të mira për ekonominë, por deri tani nuk ka të dhëna konkrete për goditjen e saj nga akti i opozitës dhe protestat.

 “Është jashtë çdo diskutimi që çdo tension i tejzgjatur dhe përshkallëzuar ka efekte në ekonomi.  Sipas të dhënave që disponojmë, ne nuk kemi të pasqyruar efektin e një situate të përkeqësuar në ekonomi për shkak të akteve që kanë ndodhur së fundi. Banka e Shqipërisë do të mbajë në monitorim këtë situatë dhe do të veprojë përmes indikatorëve që ka për të reflektuar pozitivisht në ekonomi.”

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mbajti të pandryshuar normën bazë të interesit të lekut në nivelin 1%. Sipas të dhënave, kredia për ekonominë është rritur me 5%, nëse zhvishet nga efekti kontabël i fshirjes së kredive me probleme dhe lëvizjeve në kursin e këmbimit valutor./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!