Rritja e pagave/ Ekspertja: Do të rritet konsumi dhe produktiviteti, si ndikon tek emigracioni

schedule14:41 - 23 Maj, 2023

schedule 14:41 - 23 Maj, 2023

Komisioni i Ekonomisë miratoi rritjen e pagave për administratën, përfshirë edhe ministrat dhe deputetët. Projektligji do të kalojë për miratim në parlament ndërsa efektet e tij pritet të nisin nga 1 prilli. Në total përfitojnë mbi 130 mijë punonjës dhe efekti në buxhet rezulton se është rreth 39 miliardë lekë.

Ekspertja për çështjet ekonomike, Teuta Nunaj Kortoçi, në një intervistë për “Sheshi i Dollarit” tha se rritja e pagave do të na rikthejë në gjendjen para krizës ekonomike të shkaktuar nga tërmeti, pandemia dhe më pas lufta në Ukrainë, kriza të cilat shkaktuan rritje të inflacionit dhe rritje të ndjeshme të çmimeve.

“Rritja e pagave jep një mundësi që të rikthehen në situatën e mëparshme përpara 2019-ës. Elementi i dytë është se duke qenë se kemi të bëjmë me një shtresë të mesme, kjo ndihmon që ata të rrisin kursimin dhe konsumin e tyre”, u shpreh ekspertja gjatë intervistës për ABC News.

Sa ndikon rritja e pagave në ekonomi? Ekspertja tha se rritja e pagave, duke marrë në konsideratë tregin shqiptar, mund të ndikojë më shumë në rritjen e konsumit familjar sesa tek inflacioni.

“Në rastin e ekonomisë shqiptare ka dy elementë që analizohen si avantazhues dhe disavantazhues. Elementi i parë ka të bëjë me rritjen e konsumit. Element tjetër është se sa mund të ndikojë në pjesën e inflacionit por gjykoj se më shumë ndikim do të sjellë tek rritja e konsumit sesa tek ajo e inflacionit.“, tha ajo.

Ekspertja shtoi gjithashtu se rritja e pagave do të ndikojë edhe tek bizneset që ofrojnë shërbime të njëjta me ata publike si arsimi, specialistët e IT. Ajo tha se një arsye që po i nxit bizneset të rishikojnë sistemin e pagave është emigracioni dhe mungesa e punonjësve.

“Bizneset do të kenë një ndikim nga kjo rritje page dhe do të ndjejnë konkurrencën janë ata që ofrojnë të njëjtat shërbime si ata publike. Një punonjës IT mund të punojë si në sektorin publik edhe në atë privat. Fusha të tjera që kanë shumë pak ndikim në lidhje me ecurinë e sektorit publik, do ta ndjejnë edhe më pak. Por ajo që realisht po i nxit bizneset që të rishikojnë sistemin e pagave, është emigracioni dhe mungesa vakante e vendeve të punës dhe vështirësia për të gjetur punonjësin e duhur, dhe rritja e pagës në sektorin publik do të jetë një faktor i dytë që do t’i nxisë ato“, tha ekspertja.

A mund ta frenojë rritja e pagave emigracionin? Ekspertja tha se rritja e pagave mund të ndihmojë në frenimin e emigracionit por nuk është një tregues që t’i japë fund këtij fenomeni.

“Emigracioni ka disa tregues. Paga është një prej tyre. Kryesorja tek emigracioni është pakënaqësia, mungesa e besimit dhe e shpresës se gjërat do të përmirësohen, sistemi shëndetësor, arsimor dhe vetë ekonomia. Ky është një tregues por nuk është treguesi që do të bëjë kthesën e madhe dhe të frenojë realisht emigracionin.”, përfundoi ekspertja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!