Rritja e numrit të turistëve/ Topuzi: Shqipëria s’është e përgatitur për këtë ‘bum’ turistik, të merren masa të menjëhershme

schedule18:44 - 8 Gusht, 2023

schedule 18:44 - 8 Gusht, 2023

Shqipëria ka shënuar një rritje të ndjeshme të numrit të turistëve të huaj krahasuar me vitet e mëparshme. Kryetari i Shoqatës së Turizmit, Zak Topuzi theksoi në një intervistë për “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, se deri më tani në vendin tonë kanë hyrë 30 për qind më shumë turistë.

Sipas tij, rrjetet sociale, artikujt në mediat ndërkombëtare të cilat e kanë cilësuar Shqipërisë si ‘Maldivet e Evropës’, kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Kryetari i Shoqatës së Turizmit theksoi se bëhet fjalë për një kategori turistësh që nuk janë të interesuar vetëm për detin por edhe për vendet malore.

Megjithatë, siç shtoi Topuzi, vendi ynë është i papërgatitur për këtë ‘bum’ turistik ndaj duhet të merren masa të menjëhershme. Topuzi shtoi se një ndër problemet më të mëdha të turizmit mbetet forca punëtore, pasi ajo e kualifikuar largohet drejt vendeve të tjera për paga më të mira.

“Është një kategori turistësh të cilët nuk vijnë vetëm për detin, janë grupe të rinjsh ose individë që vijnë dhe vizitojnë pothuajse të gjithë Shqipërinë nga veriu në jug. Janë familjarë që vijnë me fëmijë, thjesht nga informacionet që kanë marrë se Shqipëria është një vend i lirë dhe i bukur. Interesante është që pas pandemisë njerëzit kanë filluar që pushimet t’i parcelizojnë. Nuk kanë dëshirë të qëndrojnë në një vend por lëvizin vazhdimisht në periudha tre apo katër ditore. Shqipëria renditet në rrjetet sociale dhe mediat ndërkombëtare si një zbulim dhe destinacion i rëndësishëm për t’u vizituar.”, theksoi Topuzi.

“Jemi në shifra gati 30 për qind me tepër. Mund të shkojnë duke u maturuar. Por në finale është një vit shumë herë më i mirë se vitet e tjera. Ka një fluks në rritje, qëndrueshmëri. Pozitive për Shqipërinë është që numri i turistëve ka ardhur në rritje. Kjo është pjesa më e rrezikuar pasi jemi të papërgatitur për këtë fluks kaq të madh. Infrastrukturën s’e kemi në nivelet e duhura. Pjesa më e rëndësishme ku vijnë gati 60 për qind e turistëve nga Durrësi, Golemi deri në Shkodër është pjesa më e ngarkuar ku rrugët janë të ngushta. Në përgjithësi është një turizëm që vjen në rritje dhe duhet të marrim masa urgjente që t’i paraprijmë me cilësinë e shërbimeve dhe standartet.“, shtoi ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!