Rritja e numrit të rasteve të reja me Covid de përhapja e variantit të ri të Omicron, duket që do të zgjasë gjendjen e jashtëzakonshme për Italinë.
Mediat e huaja bëjnë me dije se qeveria italiane e drejtuar nga kryeministri Mario Draghi pritet të aprovoj sot, 14 dhjetor, një vendim të rëndësishëm mbi kohëzgjatjen e gjendjes së emergjencës pandemike kombëtare.
Ndërkohë kujtojmë se afati i përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme në të cilën ndodhet Italia, merr fund me 31 dhjetor dhe pritet që për shkak të situatës pandemike autoritetet të vendosin zgjatjen e saj.
Debati politik mbi vendimin e ardhshëm të qeverisë ka vënë përballë të djathtën e të majtën italiane. Liderja e partisë së djathtë Fratelli d’Italia, Giorgia Meloni shprehet se pas dy vitesh gjendje emergjence e jashtëzakonshme nuk ka kuptim të jetë më diçka e tillë.
Pas dy vitesh, ajo thotë se qeveria duhet t’ia kishte dalë të luftonte pandeminë e t’i rikthente qytetarëve të gjithë të drejtat e tyre.
Matteo Salvini lideri i Partisë Lidhja, shprehet më i kujdesshëm e kërkon të pres fundin e dhjetorit për të analizuar të gjitha të dhënat e kurbës pandemike.
“Jemi ende në mes të dhjetorit e para marrjes së vendimeve duhen dëgjuar kryetarët e bashkive të qyteteve e guvernatorët e rajoneve italiane”, thotë ai.
Ndërsa e majta italiane është plotësisht e bindur mbi nevojën e zgjatjes së emergjencës së jashtëzakonshme.
Kreu i Partisë Demokratike Enrico Letta shprehet se është pjekur momenti për të marrë një vendim të tillë mbi shtyerjen e emergjencës shëndetësore”./abcnews.al