Besimi në ekonomi ka pësuar një rënie të fortë gjatë muajit shtator si pasojë e rritjes së fortë të çmimeve. Sipas Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike ka pësuar uljen më të madhe brenda këtij viti.
Qytetarët dhe bizneset presin një situatë më të vështirë financiare në muajt e ardhshëm.
Treguesi i besimit konsumator u përkeqësua me 3.1% dhe rënia u ndikua kryesisht nga përkeqësimi i pritjeve për situatën e përgjithshme ekonomike dhe rënia e balancave si për blerjet aktuale ashtu edhe për blerjet e pritura.
Sektori i ndërtimit ka pësuar uljen më të madhe me një rënie prej 5.3%.
Rënia u shkaktua nga përkeqësimi i vlerësimit të bizneseve për aktivitetin e tyre ndërtues.
Edhe treguesi i besimit në shërbime pësoi një rënie me 3% . Kjo u përcaktua nga rënia e të dy komponentëve përbërës, ecuria aktuale e aktivitetit dhe vlerësimet për kërkesën.
Ndërkohë të vetmit sektor që kanë pësuar një rritje modeste janë tregtia dhe industria.
Sektori i industrisë ka pësuar një rritje me 1% e ndikuar nga vlerësime më optimiste të bizneseve të këtij sektori.
Ekspertët presin një përkeqësim të situatës së inflacionit në muajt në vijim e ndikuar direkt nga çmimet e energjisë elektrike dhe karburantet. /abcnews.al