Rritja e ekstremit të djathtë dobëson euron/ Civici: Ishte një ngjarje e pritshme, por jo në këto përmasa

schedule14:43 - 10 Qershor, 2024

schedule 14:43 - 10 Qershor, 2024

SHQIPËRI- Fuqizimi i së djathtës ekstreme në skenën politike europiane pas zgjedhjeve për Parlamentin Europian kanë lëkundur monedhën europiane në tregjet ndërkombëtare.

Euro monedha zyrtare për 20 shtetet anëtare në Bashkimit Evropian, ra me 1% kundrejt dollarit amerikan duke prekur nivelin më të ulët në një muaj. Dobësimi i euros reflekton pasiguritë e shtuara të evropianëve, por si pritet të ndikojë kjo klimë në vendin tonë?

Për këtë, eksperti i ekonomisë, Adrian Civici, tha për “Money Report” se një ‘goditje’ e tillë për monedhën europiane ishte pritshme, por jo në ato përmasa, duke marrë në konsideratë rritjen në përqindje të partive të ekstremit të djathtë, të cilat sipas tij kundërshtojnë disa politike brenda vendeve të unionit.

“Euro si gjithë monedhat e tjera, sidomos ato kryesore, janë shumë të ndejshme karshi situatës ekonomike, por edhe nga situatave politike. Ishte një ngjarje e pritshme e konjuktures së politikës në BE, jo në ato përmasa. Rritja e ekstremit të djathtë. Kjo reflektohet pastaj dhe në euro, që është monedhës e eurozonës”, tha ai.

Ai theksoi se në zhvlerësimin e mëtejshëm të monedhës evropiane ka ndikuar vendimi i Bankës Qendrore, e cila uli normën bazë të interesit, si shenjë “triumfi” mbi nivelin e inflacionit.

“Me rastin e euros besoj se ndikim ka pasur vendimi Bankës Qendrore Evropiane, për të vijuar me uljen e normës bazë të interesit për euron duke gjykuar se situatë më në kontroll. Kjo ka reflektuar në fuqinë e kësaj monedha, sidomos me dollarin, paundin britanik. Të dy faktorët bashkë mendoj se shkaktuan një lloj turbullirë, por këto janë të pritshme”, tha ai.

I pyetur se si mund të shkojë ecuria e euros në raport me lekun, Civici tha se në muajt në vazhdim do shtohen sërish presionet mbi tregun, çka mund të çojë në ulje të kursit të këmbimit valutor.

“Tashmë periudha e shkëmbimit, apo e kursit të këmbimit të lekut me euron nuk është konjukturore që mund të ndryshojë brenda një jave, por është një periudhë afatmesme deri në afatgjatë. Tani kemi hyrë në muajt intensiv, dhe nëse vijohet me këto ritme, presioni ndaj euros do shtohet dhe mund të kemi një ulje të kursit”, tha ai.

Ai foli edhe për inflacionin, i cili gjatë muajve të fundit ka njohur një trajektore rritëse. Sipas profesor Civicit, kjo qasje apo kjo tendencë ishte e pritshme, por gjithsesi kushtet e përgjithshme dëshmojnë se shkalla e inflacionit vazhdon të mbahet brenda objektivave, të parashikuara nga Banka e Shqipërisë.

“Mendoj se ishte pritshme, jo thjesht për faktin që ndodhi në eurozonë. Natyrisht edhe në vlerësimet e Bankës së Shqipërisë, është përmendur fakti se inflacioni arriti në nivelin 2%, por nuk ishte kjo goditja finale, sepse mund të kishte një rritje të lehtë të inflacionit, jemi nën kufirin 3% dhe duhet parë në vijim. Një ndër faktorët që ka ndikuar është rritja e konsumit. Do kemi disa presione inflacioniste të brendshme dhe të importuara, të cilat do mund ta çojnë në rritje të inflacionit në dy tre muajt në vijim, por gjithsesi inflacioni është më në kontroll në krahasim me dy vitet e e kaluara”, tha ai./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!