Rritja e çmimit: BE paralajmëron për më shumë varfëri energjetike

schedule08:20 - 18 Tetor, 2021

schedule 08:20 - 18 Tetor, 2021

Miliona njerëz në Evropë tashmë po vuajnë nga varfëria e energjisë prej të çmimeve të larta, paralajmëron Komisari i Punës i BE, Schmit. Ai i sheh mbi të gjitha qeveritë kombëtare si përgjegjëse për marrjen e masave.

Përballë rritjes së ndjeshme të çmimeve të energjisë, Komisari i Punës i BE, Nicolas Schmit paralajmëron për më shumë varfëri energjetike në Evropë. Tashmë ka miliona njerëz që vuajnë nga varfëria energjetike, “dhe ky numër mund të bëhet edhe më i madh”, tha Schmit. Ndërsa Komisioni i BE mund të ndihmojë vendet e BE të kufizojnë ndikimin e çmimeve aktuale të larta të energjisë tek njerëzit, qeverive kombëtare u takon të ndërmarrin veprime, tha ai.

Zëvendëszëdhënësja e qeverisë gjermane, Martina Fietz, kishte thënë më parë se ishte e rëndësishme të veprohet në mënyrë të koordinuar në të gjithë Evropën dhe brenda rregullave ekzistuese për tregun e brendshëm të BE. Çmimet e energjisë dhe opsionet afatshkurtra të veprimit do të luajnë gjithashtu rol në samitin e BE javën e ardhshme.

Konfederata Sindikale Evropiane (ETUC) shprehu në shtator frikën se më shumë se 2.7 milionë njerëz në Evropë nuk do të ishin në gjendje të ngrohnin si duhet shtëpitë e tyre, edhe pse ishin në marrëdhënie pune.

BE dëshiron të mbrojë familjet nga çmimet shumë të larta

Familjet dhe bizneset evropiane duhet të mbrohen nga rritja e çmimeve të energjisë sa më shpejt të jetë e mundur, sipas Komisionit Evropian. Komisarja e Energjisë Kadri Simson për këtë arsye prezantoi gjatë javës një të ashtuquajtur kuti mjetesh, të cilat vendet e BE mund t’i përdorin pa shkelur rregullat evropiane të konkurrencës.

Ndër të tjera, Komisioni propozoi pagesa direkte, lehtësim tatimor dhe subvencione për bizneset e vogla. Por ajo gjithashtu e kishte fjalën për reforma afatmesme për ta bërë tregun evropian të energjisë më të fuqishëm në plan afatgjatë.

Kupona energjie në Francë

Disa shtete të BE tashmë kanë ndërmarrë veprime. “Ne duhet të nxjerrim përfundime, veçanërisht në plan afatgjatë, dhe të mos bëhemi të varur nga një burim energjie, i cili është tërheqës kur çmimet janë të ulëta, por na ekspozon ndaj kërcimeve të papritura të çmimeve kur tregjet rriten,” kërkoi Presidenti i Francës, Emmanuel Macron. Prandaj Franca do të kufizojë çmimet e energjisë elektrike dhe gazit deri në prill dhe do të lëshojë kupona energjie: 100 euro për gjashtë milionë familje veçanërisht në nevojë.

Spanja ka ulur përkohësisht TVSH-në për energjinë elektrike. Por kjo nuk është e mjaftueshme për kryeministrin Pedro Sanchez: “Nëse të gjitha vendet anëtare vuajnë nga rritja e çmimit, atëherë ne duhet të japim një zgjidhje evropiane përtej masave kombëtare, të japim një përgjigje evropiane,” tha ai.

Prodhimi i gazit në Evropë ka rënë

Por jo të gjitha shtetet e BE e shohin situatën në këtë mënyrë. Ndihma për familjet është një çështje kombëtare, jo një çështje e BE, tha Ministrja e Financave e Finlandës, Annika Saariko. Për më tepër, situata në vendin e saj nuk është aq e keqe.

Ka disa arsye për çmimet e larta të energjisë: rimëkëmbja ekonomike pas pandemisë po rrit kërkesën, në Azi uria për energji po rritet. Në Evropë, prodhimi i gazit ka rënë, pjesërisht për shkak të punës së mirëmbajtjes. Përveç kësaj, Gazpromi nga Rusia nuk po furnizon më shumë energji se sasia e rënë dakord./DW