Rritja e çmimeve mbush arkën e shtetit në 3 muaj

schedule16:12 - 15 Prill, 2022

schedule 16:12 - 15 Prill, 2022

Nga Erblina Mile

Buxheti i shtetit ka mbledhur më shumë ta ardhura  në tre muajt e parë të këtij viti. Në total janë rreth 248 mln euro. Efektin kryesor e ka dhënë rritja rekord e çmimeve e  shënuar sidomos gjatë muajit mars. Një litër karburant arriti në nivele rekord duke u shitur deri në 270 lekë për litër.

Po ashtu edhe çmimet e ushqimeve shënuan shtrenjtimin më të madh në dy dekada ndërsa  inflacioni kërceu në 5.7%. Treguesit fiskal të ministrisë së financave tregojnë se gjatë periudhës janar-shkurt –mars buxheti i shtetit  ka arkëtuar 139,2 mld  lekë ose  30 miliard më shumë  nivel ky më i larti i regjistruar në vitet e fundit .

Ndikim kryesor  në rritjen e të ardhurave e ka dhënë zëri i Tvsh dhe akciza të cilët janë tregues direkt të ndikimit të shtrenjtimit të produkteve dhe shërbimeve të ndryshme në vend.

Sipas ministrisë së financave të ardhurat nga TVSH në import për 3 mujorin rezultojnë 34.1 miliardë lekë, ose 32.2 % më shumë se një vit më parë.

Po ashtu ndikim të ndjeshëm në shtimin e të ardhurave në arkën e shtetit  ka dhënë edhe TVSH-ja e arkëtuar neto, e cila u realizua në masën 11.6 miliardë lekë, apo 94.4 % më shumë se 3-mujori 2021.

Ndërkohë të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 11.4 miliardë lekë ose rreth 10% më shumë se viti 2021.

Parashikimet janë që inflacioni dhe niveli i lartë i çmimeve do të vijojnë përgjatë gjithë vitit çka nënkupton se shteti do të mbledhë më shumë para./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!