Rritja e çmimeve, Basha akuza qeverisë për paketën e rezistencës: Zgjidhjen ia kemi propozuar kohë më parë

schedule11:46 - 14 Mars, 2022

schedule 11:46 - 14 Mars, 2022

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një postimi në rrjetet sociale ka hedhur akuza ndaj qeverisë duke thënë se kryeministri Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi.

Sipas Bashës është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhytën në mjerim.

Zgjidhje ka, sipas Bashës, dhe zgjidhjen sipas tij PD ia ka propozuar prej kohësh Ramës.

Reagimi i Bashës:

Edi Rama vazhdon të tallet me qytetarët me gjoja paketa shpëtimi. Është e njëjta skemë siç bëri në kohën e pandemisë, ku shumica dërmuese e shqiptarëve u zhyten në mjerim.

Qeveria ka parashikuar të shpërndajë lëmoshë tek grupe të kufizuara, që po mbijetojnë, kur në fakt rritja e çmimeve prek të gjitha shtresat dhe do të zhysë në varfëri qindra mijëra familje.

Zgjidhje ka.

Ia kemi propozuar kohë më parë ku i kërkuam të marrë masa. Sepse shqiptarët janë aq të varfër sa nuk i përballojnë dot kostot shtesë për të përmbushur nevojat bazë.

Mjafton të shohësh vendet fqinje për të kuptuar se ka zgjidhje që ndihmojnë të gjithë qytetarët.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka miratuar ligjin për uljen e akcizës për karburantet dhe Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 18 në 10 për qind. Po kështu ka vendosur për uljen e TVSH-së për ushqime bazë nga 5 në 0 për qind.

Por ndërkohë që bën sikur po ndihmon qytetarët, në këtë kohë krize qeveria po programon më shumë taksa; do rikthejë taksën për Biznesin e Vogël dhe një sërë taksash të tjera që do ta rëndojnë edhe më shumë gjendjen.

Me lëmoshë nuk zgjidhet kriza, ajo vetëm thellohet më shumë.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!