Rritet shkalla e infektimit me koronavirus në Gjermani

schedule21:19 - 21 Korrik, 2021

schedule 21:19 - 21 Korrik, 2021

Shkalla e infeksionit me koronavirus në Gjermani – në 100,000 banorë – është në rritje të vazhdueshme për më shumë se dy javë.

Sipas Institutit Robert Koch për kontrollin dhe parandalimin e sëmundjeve, shkalla e infeksionit të mërkurën ishte 11.4, ndërsa një ditë më herët 10.9.

Niveli i fundit më i ulët ishte më 6 korrik: 4.9.

Autoritetet shëndetësore në Gjermani raportuan të mërkurën për 2,203 raste të reja me koronavirus.

Një javë më parë, shifra ditore ishte 1,548.

Shkalla e infeksionit ka qenë bazë për shumë masa kufizuese. Por, tani e tutje, autoritetet gjermane kanë paralajmëruar se do të merren parasysh edhe vlera të tjera, të tilla si pranimet në spital.

Sipas të dhënave të mërkurën, 19 viktima nga koronavirusi u regjistruan në Gjermani brenda 24 orëve të fundit.

Një javë më herët, kjo shifër ishte 28.

Që nga fillimi i pandemisë, Instituti Robert Koch ka regjistruar 3,748,613 raste me koronavirus.

Prej tyre, 91,416 vetë kanë vdekur dhe 3,642,000 janë shëruar.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, u bëri thirrje qytetarëve që të mos i neglizhojnë masat mbrojtëse.

“Nëse [shkalla e infektimit] vazhdon të dyfishohet kështu, çdo 12 ditë, atëherë do të kalojmë 400-shin në shtator, 800-shin në tetor”, tha Spahn.

“Bëhet fjalë për veshjen e maskave në ambiente të mbyllura. Testim të rregullt. Nëse nuk jeni të vaksinuar, vaksinohuni. Tani, në këto ditë korriku, ne vendosim se si do të jetë situata në shtator, tetor, nëntor”, tha Spahn.

Aktualisht, shtoi ai, 75 për qind e personave mbi 60 vjeç në Gjermani janë plotësisht të vaksinuar, ndërsa një e katërta jo./Rel