Çmimet e naftës janë rritur sërish të premten, pas shqetësimeve për shtrëngim të furnizimeve, teksa pushtimi rus i Ukrainës ka hyrë në ditën e dytë.
Çmimi i naftës së papërpunuar është rritur për më shumë se 2 për qind, përkatësisht 101 dollarë për fuçi, ndërkohë që luftimet janë shtuar afër kryeqytetit ukrainas, Kiev.
Mirëpo tregjet e aksioneve në Evropë dhe Azi janë stabilizuar pasi investitorët kanë vlerësuar sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë.
Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian kanë goditur Rusinë me sanksione.
Rusia është eksportuesja e dytë më e madhe në botë e naftës së papërpunuar, pas Arabisë Saudite.
Ajo është edhe eksportuesja më e madhe në botë e gazit natyror.
Evropa merr gati një të tretën e naftës së saj dhe rreth 40 për qind të gazit nga Rusia, përmes gazsjellësve që kalojnë nëpër territorin ukrainas.
Pas prezantimit të sanksioneve, janë rritur shqetësimet për rritje të çmimeve të naftës dhe mungesë furnizimesh në nivel botëror.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.
Raketat janë nisur në aeroporte dhe infrastrukturë ushtarake në rreth 25 qytete.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka urdhëruar “operacion special” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Veprimi i Kremlinit ka nxitur zemërim dhe është dënuar në gjithë botën.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët janë përgjigjur me sanksione të ashpra kundër Moskës./REL