Sondazh

Lufta në Iran, a rrezikon të nisë Lufta III Botërore?

Loading ... Loading ...
 

Rritet numri i pacientëve me probleme me zemrën, dominojnë strukturën e vdekjeve në Shqipëri

schedule07:39 - 17 Mars, 2026

schedule 07:39 - 17 Mars, 2026

Sëmundjet e zemrës dominojnë strukturën e vdekjeve në Shqipëri shumë më tepër se në vendet e Bashkimit Europian.

Të dhënat krahasuese nga INSTAT dhe Eurostat tregojnë se 52.9% e vdekjeve në Shqipëri lidhen me sëmundjet e aparatit të qarkullimit të gjakut, ndërsa në Bashkimin Europian kjo kategori përbën 32.8% të totalit të vdekjeve.

Diferenca është e konsiderueshme dhe tregon se shqiptarët humbin jetën nga sëmundjet e zemrës në një nivel gati dy herë më të lartë se mesatarja europiane.



Në Europë, përveç sëmundjeve të zemrës, një peshë të madhe në vdekje kanë edhe tumoret, që përbëjnë 23.9% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri kjo kategori zë 15.3% të totalit. Edhe sëmundjet e aparatit të frymëmarrjes kanë një peshë dukshëm më të madhe në BE, me 7.8% të vdekjeve, ndërsa në Shqipëri përbëjnë vetëm 2%.

Diferenca të mëdha shfaqen edhe në kategori të tjera të sëmundjeve. Sëmundjet e aparatit të tretjes përbëjnë 4.4% të vdekjeve në BE, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.8%.

Sëmundjet mendore përbëjnë 4.3% të vdekjeve në Europë, krahasuar me 0.5% në Shqipëri, ndërsa sëmundjet e sistemit nervor zënë 4.3% në BE dhe vetëm 1.5% në vend. Po ashtu, sëmundjet endokrine dhe të ushqyerjes përbëjnë 3.5% të vdekjeve në Bashkimin Europian, ndërsa në Shqipëri vetëm 0.9%.

Po shtohen pacientët me probleme të zemrës

Të dhënat e fundit tregojnë se rastet me probleme kardiake janë në rritje edhe në sistemin spitalor. Për periudhën janar–gusht 2025, në repartet e kardiologjisë u trajtuan 7,543 pacientë, nga 6,419 pacientë një vit më parë, një rritje prej 17.5%.

Edhe problemet e shëndetit mendor kanë shënuar rritje. Në të njëjtën periudhë, në spitalet psikiatrike u trajtuan 1,129 pacientë, ose 36% më shumë se një vit më parë.

Ekspertët e shëndetit e lidhin këtë tendencë me një kombinim faktorësh që lidhen me stilin e jetesës. Ndotja e ajrit, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme dhe stresi i përditshëm konsiderohen ndër arsyet kryesore që po rrisin simptomat kardiake dhe neurologjike në popullsi.

Ndikimet e fshehura të stresit dhe punës sedentare janë bërë një shqetësim i madh për shëndetin fizik dhe mendor të punonjësve në korporata dhe biznese.

Mjekja psikiatre Dr. Arjana Rreli, ka pohuar më herët për Monitor se stresi kronik në punë mund të shkaktojë pasoja serioze në shëndetin mendor dhe fizik.

“Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj stresit në mjedisin e punës mund të çojë në lodhje emocionale, shqetësime të gjumit dhe madje edhe probleme kardiovaskulare”, – shpjegon ajo./monitor/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!