Qeveria e kryeministrit spanjoll Pedro Sanchez po përballet me një rritje të madhe të mbërritjes së emigrantëve të paligjshëm, kryesisht në arkipelagun e Ishujve Kanarie.
Shërbimet e shpëtimit kanë raportuar çdo ditë për mbërritjen e një varke me dhjetëra emigrantë afrikanë në një nga ishujt Kanarie, që ndodhen në brigjet veriperëndimore të Afrikës.
Për këtë arsye, Sanchez vendosi të bëjë një vizitë nga nesër deri të enjten në tre vendet nga nisen kryesisht emigrantët: Mauritania, Gambia dhe Senegali.
Presidenti i qeverisë rajonale të Ishujve Kanarie, Fernando Clavijo, i cili takoi kryeministrin spanjoll të premten, vlerësoi se janë “më shumë se 150,000 refugjatë të gatshëm për të bërë udhëtimin nga Mauritania në arkipelag. Ai i kërkoi gjithashtu BE-së të marrë përgjegjësitë.
Ishujt Kanarie dhe Spanja në përgjithësi janë shpesh vetëm një ndalesë për emigrantët që dëshirojnë të shkojnë në vende të tjera të Europës.
Sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Brendshme spanjolle, nga 1 janari deri më 15 gusht të këtij viti, në Ishujt Kanarie kanë mbërritur 22,304 emigrantë, krahasuar me 9,864 në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kjo është një rritje prej 126%. Për të gjithë Spanjën, rritja e numrit të të emigrantëve arrin në 66.2% (nga 18.745 vitin e kaluar në 31.155 këtë vit). Gjithashtu, ky trend vlerësohet të forcohet deri në fund të vitit, kryesisht për shkak të përmirësimit të pritshëm të kushteve atmosferike në këtë zonë të Atlantikut.
Numri rekord prej 39,910 emigrantëve të regjistruar vitin e kaluar duket se do të tejkalohet, duke konfirmuar se rruga e migrimit në Atlantik për në Ishujt Kanarie është bërë ajo kryesore për migrantët që dëshirojnë të arrijnë në Spanjë, pavarësisht rrezikut të lartë.
Por Ishujt Kanarie nuk janë i vetmi rajon i Spanjës jugore që është prekur. Qyteti i vogël i Ceuta, një enklavë spanjolle në bregun verior të Marokut, ka shënuar gjithashtu një rritje të madhe të mbërritjes së emigrantëve në javët e fundit.
Është një nga dy kufijtë tokësorë të BE-së me kontinentin afrikan, tjetri është Melilla, një tjetër enklavë spanjolle më në lindje.
Për këto rajone, problemi më urgjent janë emigrantët e mitur të pashoqëruar, sepse rajonet janë të vetmet përgjegjëse për ta, në krahasim me të rriturit që merren nga qeveria qendrore.
Rajonet e vijës së parë të Spanjës po luftojnë për të përballuar rritjen e shpejtë të numrit të të miturve për të cilët duhet të kujdesen. Në Ishujt Kanarie, qeveria rajonale duhet të sigurojë strehim për 5,100 të mitur të pashoqëruar, ndërsa qendrat e pritjes kanë vende për 2,000 njerëz. Situata në Ceuta është e ngjashme.
Për të zgjidhur problemin, qeveria e Sanchez u përpoq të kalonte në parlament në korrik një amendament në ligjin e imigracionit, në mënyrë që t’i jepte qeverisë të drejtën për të dërguar emigrantët e mitur të pashoqëruar në rajone.
Por Partia Popullore e krahut të djathtë, Vox e ekstremit të djathtë dhe partia katalanase e Carles Puigdemont, e cila bën thirrje për legjislacion më të ashpër për të trajtuar emigracionin e paligjshëm, bllokuan debatin mbi projektligjin.
/abcnews.al