Gjatë sezonit turistik, Shqipëria përjeton kulmin e konsumit të energjisë elektrike, një fenomen që po shndërrohet në trend të përvitshëm, paralel me rritjen e numrit të vizitorëve dhe temperaturave të larta.
Administratori i OSHEE-së, Enea Karakaçi, në një intervistë për “Money Report” në ABC News, theksoi se konsumi gjatë muajve të verës ka arritur në vlera “marramendëse”, duke tejkaluar madje edhe netët festive të fundvitit apo ditët e acarta të janarit.
Përballë kësaj situate, OSHEE ka angazhuar mbi 1 mijë punonjës në terren dhe ka vënë të gjitha strukturat në gatishmëri për të siguruar furnizimin e pandërprerë, veçanërisht në zonat turistike dhe në Tiranë.
“Kemi dy tre vite tashmë që situata e konsumit në Shqipëri ka ndryshuar për shumë shkaqe. Pikun e konsumit konsiderohet nata e Vitit të Ri dhe ditët e ftohta të Janarit. Por, ajo që kemi vënë re është se ne kemi një kulm të konsumit energjik gjatë sezonit turistik.
Ky lloj konsumi zgjat për 2-3 muaj. Janë vlera marramendëse, Ne kemi marrë masat që të gjitha strukturat të jenë në funksion të plotë në territor, një mijë punonjës janë në gatishmëri në terren. Zonat turistike janë ato që kanë konsumin më të lartë, por edhe Tirana, nuk mbetet mbrapa.
Konsumi i lartë dhe temperaturat e larta shkaktojnë një gjendje “depresive” për të gjitha pajisjet elektrike, gjithashtu çdo pajisje e jona vihet në një lloj presioni. Nuk kemi pasur problematika të shtuara, por e rëndësishme është që të ndërhyjmë në kohën e duhur”, tha administratori i OSHEE-së./abcnews.al

