Rritet kriminaliteti në Shkodër gjatë vitit 2021

schedule18:06 - 26 Janar, 2022

schedule 18:06 - 26 Janar, 2022

Në Shkodër është rritur kriminaliteti në vitin 2021 me 11.9% dhe është ulur zbulueshmëria me 5%. Kështu është shprehur drejtori i Policisë së Shkodrës Hamdi Fjora gjatë analizës së punës për vitin 2021.

“Gjatë vitit 2020 janë evidentuar 1760 vepra penale dhe janë zbuluar 1636 me 2026 autorë të implikuar, 402 nga të cilët të arrestuar, 135  të ndaluar, 1363 të ndjekur në gjendje të lirë dhe 126 të shpallur në kërkim. ​ Rezulton se në vitin 2021, në Qarkun Shkodër, është rritur kriminaliteti me 11.9% dhe është ulur zbulueshmëria me 5%. Dendësia e kriminalitetit për vitin 2021, referuar tendencave të veprave penale sipas drejtimit dhe territorit, dominohet nga numri i veprave penale që ka hetuar Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Shkodër, specialistët e të cilit kanë hetuar mesatarisht 34% të totalit të veprave penale në Qarkun Shkodër.

Pasuar nga figurat e veprave penale të krimeve ekonomike dhe financiare që zënë rreth 21% të totalit të veprave penale të evidencuara në Qarkun Shkodër. Dhe më pas veprat penale në fushën e qarkullimit rrugor me rreth 14% të totalit të veprave penale të evidencuara në Qarkun Shkodër”, ka thënë ai mes të tjerash.

Gjatë vitit 2021 Fjora tha se në Shkodër janë evidentuar 1999 vepra penale dhe janë zbuluar 1753, me 2392 autorë të implikuar, 581 nga të cilët janë arrestuar, 152 janë ndaluar, 1473 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 186 janë shpallur në kërkim.

Nga ky takim Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano teksa u takua me strukturat drejtuese të policisë kërkoi dominimin e situatës kriminale nga policia.

“Duhet më tepër punë parandaluese dhe forcë reaguese ndaj çdo individi/grupi kriminal. Tolerancë zero ndaj krimit dhe ndaj çdo punonjësi policie që shpërdoron besimin që i është dhënë apo tradhton parimet dhe kolegët”.

Nano ka kërkuar se Drejtoria Vendore e Policisë Shkodër dhe Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin, të godasin sa më ashpër, me zero tolerancë, këdo që tenton të kryejë këtë veprimtari kriminale.

“Kërkoj nga të gjitha strukturat tuaja, më shumë angazhim e përkushtim, për të rritur forcën parandaluese dhe goditëse ndaj çdo veprimtarie kriminale. Puna me ndershmëri e përkushtim ka vetëm një medalje, atë të mirënjohjes së qytetarëve, ndaj punoni që ta meritoni”, u shpreh Gledis Nano.

/abcnews.al