Rritet kreditimi në ekonomi, çfarë përfitojmë? Guxholli analizon treguesit: Si duhet parë kjo lloj sjelljeje

schedule14:32 - 30 Prill, 2024

schedule 14:32 - 30 Prill, 2024

TIRANË- Ka vijuar me ritme pozitive kreditimi për ekonominë edhe gjatë muajit  mars. Muajin e kaluar bankat dhanë më shumë se 30 miliardë lekë kredi të re për bizneset dhe individët, ndërsa si raport tremujor kjo shifër arriti në 82.8 miliardë lekë, gati 30% më e lartë se krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kredia në monedhën vendase është rritur duke zënë edhe peshën më të madhe, mbi 62% të kredisë së re. Por, çfarë do të thotë kjo panoramë për ekonominë tonë?

Ekspertja e ekonomisë, Suzana Guxholli, e ftuar në “Money Report” tha se në vetvete rritja e shkallës së kreditimit është një sjellje pozitive.

Ajo shprehet se rritja e ekonomike e vendit është bazuar tek shërbimet dhe jo tek sektori i prodhimit. Ky tregues shtoi ajo në perspektivë afatgjatë nuk garanton qëndrueshmëri.

“Kreditimi është rritur dhe kjo është pozitive. Kemi një ekonomi që vërtet ka rritje, që relativisht mund të quhet e mirë, por është e bazuar tek sektori i shërbimeve, dhe si e tillë kjo nuk garanton qëndrueshmëri dhe rritje ekonomike të shëndetshme”, shtoi Guxholli.

Por, rritja e kërdisë konsumatore ka dhe një të dhënë tjetër, që për Guxhollin tregon se shqiptarët nuk e përballojnë dot koston e jetesës dhe në këto kushte zgjedhin t’i drejtohen bankës.

“Rritja e kredisë konsumatore tregon edhe atë që njerëzit nuk kanë mundësinë t’ia dalin. Remitancat janë jo të shëndetshme për ekonominë tonë”, theksoi ajo.

Sa i takon uljes së kredive me probleme, Guxholli tha se kjo tregon se bankat kanë shtrënguar kriteret për aprovimin e një kredie dhe kjo ka ndikuar në zbutjen e prirjes së kësaj problematike.

“Bankat vetë nga ana e tyre kanë shtrënguar kriteret e dhënies së kredisë dhe kjo ka influencuar në uljen e kredive të këqija”, tha ajo./n.m.abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!