Rritet çmimi i vajit të ullirit në Spanjë, supermarketet vendosin pajisje kundër vjedhjes

schedule09:48 - 20 Nëntor, 2023

schedule 09:48 - 20 Nëntor, 2023

Në Spanjë, prodhuesi më i madh në botë i vajit të ullirit, supermarketet kanë vendosur pajisje kundër vjedhjes se shisheve të vaji, ndërsa çmimi është rritur. Një litër vaj ulliri ekstra i virgjër kushton deri në 14.5 euro në disa supermarket.

“Ne po shohim një rritje të vjedhjeve,” tha Ruben Navarro, president dhe CEO i zinxhirit të supermarketeve Tu Super, i cili ka 30 dyqane në rajonin e Andaluzisë.

Çmimi i vajit të ullirit, tashmë zyrtarisht 8 euro për litër, është rritur me 150% në dy vitet e fundit në Spanjë pasi thatësira në jug ka ndikuar ndjeshëm në korrje. Bandat e krimit të organizuar vjedhin vaj ulliri për ta shitur, shpjegoi Navarro.

Që nga shtatori, Tu Super i ka lidhur me zinxhir shishet me pesë litra dhe i ka mbyllur në rafte për të parandaluar vjedhjen.

“Është një masë absurde, ekstreme, por ka funksionuar”, shpjegoi Navarro.

Policia në Spanjë ka paralajmëruar edhe për vjedhje nga fabrikat e ullirit dhe në tetor arrestoi dy persona në kuadër të një hetimi për vjedhjen e 56 tonë vaj ulliri ekstra të virgjër.

Zakonisht familjet në Spanjë blinin sasi të mëdha vaj ulliri për gatim. Edhe pse spanjollët janë ndër konsumatorët më të mëdhenj në botë të vajit të ullirit, ata janë detyruar të shkurtojnë shumë blerjet e tyre: në shtator, shitjet e vajit të ullirit ekstra të virgjër ranë 17% nga viti në vit.

Megjithatë, vjedhjet në dyqane nuk kufizohen vetëm tek vaji i ullirit, ku supermarketet kanë një rritje të përgjithshme të fenomenit. Konfederata Spanjolle e Punëdhënësve dhe Industrive (CEOE) vuri në dukje se viti 2022 pa një rritje prej 30% në vjedhjet me pakicë, ndërsa deri më tani në 2023 vjedhjet janë rritur me 12%.

Në Spanjë vjedhja e sendeve me vlerë më të vogël se 400 euro nuk dënohet, përveç rastit kur personi që e ka kryer atë është përsëritur.

/abcnews.al