Brenda vitit është dyfishuar çmimi i druve në Dibër. Një metër kub dru nga 5 mijë lekë ka shkuar nga 9 deri 10 mijë lekë. Ky çmim kaq i lartë është i papërballueshëm për rreth 120 mijë banorë të qarkut verilindor. Shumë nga ta këtë dimër do ngrohen nën batanije.
“I kam gjetur që në prill 88 mijë lekë metër kubin se po e lë për më pas do shkojë dhe 2 qind. Do rrimë një ditë në batanie, një ditë në ditë me sobë”.
“Do ngrohem në diell, me çfarë të ngrohem, janë shtrenjtë, s’të lë njëri të bësh dru. Do ngrohemi me peliçe”.
“Nuk i kam me çfarë t’i ble”.
“S’po ngrohem me asgjë, s’kam takat. Kam marrë dy metro kub i ruaj si sytë e balli, kur të prishet koha”.
Dibra furnizohet me dru nga tregtarët e Librazhdit dhe Tiranës, transporti I tyre ka rritur dhe çmimin. Këtë pohon Sali Vranezi pronari i kësaj fushe me dru që sqaron se dibranët nuk lejohen nga policia të presin as pemët që kanë në tokat e tyre.
“Ankohet populli se do të presë arrën e vetë, i është tharrë arra, molla. S’ka të drejtë me e prerë se i kap policia, po druri është jetik”.
Ndërsa Kryetari i Bashkisë së Dibrës, Shkëlqim Murrja thotë se kjo është një problematikë e trashëguar nga paraardhës i tij I cili duhet të kishte hapur parcela për prerjen e druve. Po siguron se ka gati zgjidhjen.
“Pasi kemi përcaktuar një ngastër në pyjet tona, kemi akorduar dhe fondin nga buxheti i bashkisë, presim prokurimin dhe do ti japim një zgjidhje këtij ngërci, ndoshta të paprecedent. tha Shkëlqim Murrja”.
Nga ana tjetër Drejtori i pyjores, Vullet Tafa paralajmëron se çmimi I druve të zjarrit do njohë vetëm rritje, pasi fondi pyjor që adiminstron Bashkia e Dibrës është I pakët. Sipërfaqe të tëra pyjore janë dëmtuar nga prerjet e paligjshmë apo nga zjarret.
“Burimet pyjore nga viti në vit kanë ardhur në përkeqësim, ndaj s’kemi mundësi të nxjerrim sasinë e nevojshme për nevojat e qytetarëve gjatë dimrit. prej mundësive të pakta nga pikëpamja teknike fondi pyjor çmimi i druve të zjarrit do të vijë në rritje. Duhet të investohemi në rrugë alternative për ngrohje”.
Dibra ka një sipërfaqe prej 64 mijë hektarë pyje, ku më shumë se 36 mijë hektarë nuk preken, pasi ndodhen në Parqe natyrore të mbrojtura.