Rritet buxheti për gratë me kancer gjiri/ Fond i posaçëm për paruke dhe proteza falas

schedule16:06 - 22 Dhjetor, 2024

schedule 16:06 - 22 Dhjetor, 2024

3 vite më parë Edlira Rapo u diagnostikua me kancer  në gji. Përballja me sëmundjen nuk ishte e lehtë për 27 vjeçaren nga Berati, ndërsa pranimi i saj nga familjarët ishte akoma më i vështirë. Me pozitivitet dhe me mbështetjen e familjes, Edlira thotë se e fitoi betejën e kancerit të gjirit, ndërsa muaj më vonë një tjetër tumor iu shfaq në trup, kësaj rradhe në mushkëri.

“Nga kanceri i gjirit prej tre vitesh, më pas mu shfaq në mushkëri, po marr kimioterapinë tani, jam akoma në trajtim.  Unë nga ana ime se kam përjetuar shumë keq se mendoj pozitivisht, familjarët e mi e kanë përjetuar keq. Ke dhe ditë të vështira, me dhimbje, sidomos kur bën kimiot. Thjeshtë duke bërë dush, e kuptova nga një kokërr, bëra ekon e kontrollet…” – u shpreh Edlira Rapo.

Gratë dhe vajzat e diagnostikuara me kancer gjiri, por jo vetëm, krahas problemeve të shumta mjekësore, emocionale e shpirtërore, padushim që përballen dhe me kostot ekonomike. Vendosja e protezave të gjirit apo parukeve, ka qenë një problematikë e vazhdueshme për këta paciente, si pasojë e transformimit fizik nga kimioterapia. Të njëjtën vështirësi na e pohon edhe Edlira.

“ Prej tre muajsh më kanë rënë flokët, dhe tani kam vënë paruke. Është pak e sikletshme, por, duhet të luftojm, të ecim para. Shumë e vështirë, këtë që kam ma kanë dhuruar, por, kam një tjetër që e kam blerë prej 80 mijë lek. Është pak e vështirë mundësimi. Se unë jam pa punë, me një rrogë të bashkëshortit, s’ja del. Edhe protezën e gjirit e kam kërkuar dhe ende s’na është dhënë mundësia për ti marr, presim.”

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale në Buxhetin e 2025, ka parashikuar një fond të posaçëm për mbulimin falas të këtyre materialeve. Rreth 300 gra e vajza duke nisur nga viti i ardhshëm, do të përfitojnë proteza, ndërsa paruke të gjitha pacientet, tha për Abc News Zv. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Mira Rakacolli.

“Sivjet me shtimin e buxhetit menduam që një pjesë të tij të shkonte pikërisht për ato gra dhe vajza të cilat kanë nevojë për protezat dhe paruket si rezultat i efekteve anësore të kimioterapisë. Ne kemi përllogaritur gjatë viteve të fundit sesa ka qenë indikacioni i grave dhe vajzave që kanë pasur nevojë për protezë, dhe është llogaritur që rreth 300 vajza dhe gra në vit kanë nevojë për të vendosur protezë si rezultat i kirurgjisë për sëmundje onkologjike.”

Sipas Rakacollit këto material do të menaxhohen nga vetë spitali, në varësi të asaj se ku do të kryhet ndërhyrja kirurgjikale te pacienti.

Aty ku bëhet kirurgjia do të vendoset edhe proteza, kështu që QSUT do jetë menaxhimi. Në kuadër të autonomisë spitalore ndoshta mund të ketë edhe spitale të tjera që mund të ofrojnë këtë lloj shërbimi, natyrishtë nëse do të plotësojn kriteret që kemi thënë. Të gjithë pacientët të cilët kanë nevojë onkologjike përpara se të merret një vendim në çdo spital të Shqipërisë duhet të marr një konsultë bordi. Pra është bordi të përbërë nga mjek kirurgë, nga mjek onkolog, imazheristë, që vendosin se kush do jetë trajtimi i parë që marrin ata, dhe vazhdimësia që do të kenë. “

Fondi për protezat dhe paruket ende nuk është përcaktuar, pasi aktualishtë po punohet nga grupi i ngritur në ministri. Aktualishtë në treg një paruke fibër kushton 100 euro, ndërsa e porositur me flokë natyral çmimi varion nga 150 deri në 850 euro. / abcnews.al     

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!