Nga Erblina Mile
376 milion euro kanë sjellë emigrantët shqiptar në vend në gjashtë muajt e parë të këtij viti. Rritja e çmimeve duket se ka ndikuar në shtimin e mbështetjes financiare për familjarët që jetojnë në Shqipëri.
Vetëm për periudhën prill-qershor prurjet e emigrantëve, shënuan rreth 192 milionë euro, me një rritje vjetore prej 12%.Por Banka e Shqipërisë konstaton se gjatë këtij viti ka pasur një tendencë që paratë e emigrantëve të kalohen CASH një mënyrë kjo që eliminon pagesën e interesave për transfertat. Në raportin e bilancit të pagesave theksohet se edhe për këtë tremujor, ka vijuar rënia e përdorimit të kanaleve formale siç janë sistemi bankar dhe operatorë të sistemit të transferimit të parave, si pasojë e lëvizjeve të emigrantëve pasi u hoqën kufizimet për udhëtimet pothuajse nga të gjitha shtetet.
Ky nivel e prurjes së emigrantëve rezulton më i larti që prej më shumë se një dekade. Sipas të dhënave pjesa më e madhe e këtyre dërgesave përdoret nga familjet shqiptare për ushqim, ilaçe e pagesa të energjisë elektrike.
Në Shqipëri, një në katër familje marrin të ardhura nga emigrantët që rezultojnë se janë burimi i vetëm i jetesës për pjesën dërrmuese të tyre. Janë gjithsej 220 mijë familje që jetojnë me këto të ardhura, në pamundësi të një burimi tjetër.
Sipas ekspertëve shtimi i remitancave është një faktor që tregon se gjendja ekonomike e familjeve është shqiptare është përkeqësuar gjatë këtyre muajve.
Sipas bilancit të pagesave edhe të ardhurat nga turistët kanë shënuar një nivel rekord në pjesën e parë të vitit. Për periudhën janar-qershor turistët kanë sjellë mbi 1 miliardë euro .Por edhe shqiptarët kanë udhëtuar më shumë dhe kanë shpenzuar rreth 800 milion euro jashtë Shqipërisë. /abcnews.al