Rriten çmimet e prodhimeve të stinës

schedule16:23 - 13 Shkurt, 2019

schedule 16:23 - 13 Shkurt, 2019

Çmimet e prodhimeve të stinës kanë pësuar rritje të madhe gjatë kësaj periudhe, ku sipas INSTAT grupi i zarzavateve dhe patateve janë rritur me 36.6 për qind. Ekspertët shprehen se kërkesë–oferta dhe mungesa e prodhimit të mjaftueshëm vendas ka sjellë këtë situate me çmimet në tregje.

Çmimet e prodhimeve të stinës, kryesisht perimet dhe zarzavatet pësuan rritje jo të zakontë gjatë muajve Janar-Shkurt, sipas INSTAT. Çmimet në grupin zarzavate përfshi dhe patatet u rriten me 36.6 për qind, duke shënuar nivelin më të lartë që nga maji i vitit 2010.

Ekspertët shpjegojnë se rritja e çmimeve erdhi si pasojë e goditjeve të brendshme nga kërkesë-oferta, pasi prodhimi vendas ishte mjaft i kufizuar, duke renditur dhe një sërë faktorësh të tjerë.

Agim Rrapaj, kreu i Këshillit të Agrobiznesit: Arsyet janë të shumta. E para ka të bëjë me kërkesë ofertën. Fermerët dihet që shumica janë të paorganizuar dhe duke marrë harkun e tre vjetëve dhe duke bërë një analizë shikojmë se në 2017-n fermerët mbollën qepë, mbollën patate. Pati edhe nga importi një sasi dhe u krijua në treg një tepricë produkti. Fermerët duke mos e njohur tregun ashtu siç duhet. Duke mos ditur dhe rregullat e vetaqë ka tregu në 2018-n nuk mbollën ato që mbollën në 2017-n dhe kjo bëri që përsëri kërkesë-oferta të veprojë tani në 2019-n që të kemi mungesë të produkteve të prodhimeve të vendit.                                          

Sipas Rrapajt, përgjithësisht problematikat me luhatjen e konsiderueshme të çmimeve hasen më shumë në kryeqytet për disa arsye.

Agim Rrapaj: Elementi tjetër pastaj ka të bëjë dhe me abuzimet. Shpeshherë në Tiranë abuzohet edhe me tregun agro-ushqimor ku vendosen çmime dhe tarifa shumë të larta për tregtarët, për grumbulluesit, por në të njëjtën kohë vepron edhe një linjë pothuajse e rregulluar nga pikëpamja e konkurrencës. Këtu kemi të bëjmë me një tip monopoli të disa produketeve dhe kjo ka bërë që çmimet të jenë në këtë nivel. Për ta rregulluar këtë situatë ne duhet detyrimisht të fusim konceptin e kontratës midis grumbulluesit dhe fermerit prodhues. Nëse nuk fusim këtë koncept dhe nuk bëjmë këtë mënyrë organizmi që ka lidhje me kontratën atëherë ne nuk kemi për ta rregulluar asnjëherë këtë problem.

Edhe vetë qytetarët shprehen se çmimet janë të shtrenjta për shportën bazë të konsumit të përditshëm.

“Shumë të shtrenjta janë për ne pensionistat”.

Një problem tjetër që ndeshet në vendin tonë sipas ekspertëve, është edhe kur lejohen importe të prodhimeve bujqësore, në kohën kur prodhimi vendas po shkon dëm. Siç është rasti i mollëve dhe mandarinave vendase që po kalben në fusha, njësitë e shitjes me pakicë janë të mbushura me fruta dhe perime importi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!