“Rri i qetë”, si i mashtroi ish-bosi shqiptar i naftës mafiozët e “Cosa Nostra”-s dhe frika e prangave

schedule20:00 - 16 Nëntor, 2021

schedule 20:00 - 16 Nëntor, 2021

Nga Ermal Vija

ABC ka siguruar dosjen e prokurorisë se Palermos që implikon Rezart Taçin dhe dy partnerët e tij italianë. Dështimi i transferimit të 18 milionë eurove ka zbuluar edhe prapaskenat mes palëve.

Dosja përmban përgjime mes italianëve dhe referenca të tyre për biseda me Rezart Taçin. Aty përmenden të gjitha tentativat e Rezart Taçit për të mundësuar zhbllokimin e shumës së 18 milionë eurove dhe kalimin e saj në një bankë në Hong Kong ose Singapor. Nga përgjimet e Petruzellës, ekonomisti i 90 vjeçarit Zummo, pjesë e mafias së Palermos, mësohet se Rezart Taçi po bënte gjithë sa kishte mundësi me lidhjet e tij politike për zhbllokimin e aferës. Në një bisede të tij me bashkëjetuesen, të datës 18 tetor 2021, e zbardhur në faqet 40 e 41 te dosjes hetimore, kjo e fundit tregohet e shqetësuar për fatin e Petruzzellës nga frika e arrestimit për shkak se paratë ishin bllokuar në Shqipëri. Petruzella i përgjigjet, se ka marrë garanci nga Taçi për zhbllokimin e parave.

Petruzella: Më ka thënë: “duhet të qëndrosh i qetë, kanë nevojë për kohën e tyre. Madje kanë shkuar deri të kryeministri për këtë punë.!

Më tej në dosje sqarohet edhe roli që sipas Petruzzellës kishte marrë përsipër biznesmeni Rezart Taçi dhe të afërmit e tij për zhbllokimin e parave. Sipas përgjimeve mes Petruzellës dhe bashkëshortes së tij, ai pretendon se Taçi kishte marrë garanci jo nga kryeministri por nga zëvendëskryeministri shqiptar që do të konfirmonte në detyrë drejtorin e pastrimit të parave dhe më pas do të lirohej edhe shuma e sekuestruar.

“Duke vazhduar diskutimin, Petruzzela sqaron më mirë, ndërhyrjen që do të bënte Rezart Taçi, jo tek kryeministri por tek zëvendëskryeministri i qeverisë shqiptare, prej të cilit drejtori i pastrimit të parave, pretendonte të rikonfirmohej në detyrë prej tij dhe në këmbim të zhbllokonte fondet e Zummos. Për më tepër zëvendëskryeministri, ishte i predispozur të plotësonte kërkesën e drejtorit të pastrimit të parave, e në këmbim të bëhej zhbllokimi i fondeve. “Drejtori i pastrimit të parave, ka kërkuar që zëvendëskryeministri ti thotë që do të jetë i rikonfirmuar në detyrë, kështu ai bën dekretin… dhe për dy orë ( përplas duart) mbaron gjithçka”.

E gjitha kjo bisedë, si edhe te tjera janë referenca të Petruzzelës për Rezart Taçin. Por ne asnjë moment nuk ka një përgjim të këtij të fundit ku të përmendë emra zyrtarësh shqiptarë. Në fund paratë u bllokuan. Për më tepër Rezart Taci nuk mundi ti kalojë dy italianëve as shumën cash prej 500 mijë eurosh që ata i kishin kërkuar muaj më parë, atëherë kur nisi afera. Nuk përjashtohet mundësia qe Taçi dhe njerëzit e tij ti kenë mashtruar italianët. Shumë herë gjatë përgjimeve vihen re dyshimet e tyre për premtimet e pambajtura nga biznesmeni shqiptar.

Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!