Koronavirusi është sëmundja që prej muajsh është kthyer në mankthin e të gjithë botës. Prania e saj ka bërë që në të gjithë botën studiuesit të jenë të përkushtuar për të studiuar në lidhje me zbulimin e sa më shumë detajeve në lidhje me këtë virus. Së fundmi rezulton se koronavirusi sjell probleme të zemrës, tek pacientët e prekur.
Mediat e huaja raportojnë se më shumë se gjysma e pacientëve të infektuar në një spital të Britanisë së Madhe që iu nënshtruan skanimit në zemër, u përballën me disa ndryshime anormale. Sipas një raporti më të fundit të realizuar në lidhje me këtë rezulton se një në tetë pacientë kishte shenja të “mosfunksionimit të plotë”, në zemrën e tyre, ndërsa mjekët nuk mund të gjenin ndonjë shpjegim tjetër përveç koronavirusit.
Studimi i kryer nga Fondacioni Britanik i Zemrës, shpreh shqetësimin se koronavirusi mund të shkaktojë dëme të përhapura në organet jetësore të pacientëve, madje te disa edhe disa probleme të tjera shëndetësore që mund të zgjasin me muaj ose edhe me vite pas infeksionit të koronavirusit.
Efektet afatgjata mund të përfshijnë kollitjen, gulçimin dhe probleme në mushkëri. Ka prova se virusi mund të ndikojë në tru dhe në veshka. Ndërkohë, kardiologu dhe profesori Mark Dweck, në Universitetin e Edinburgh tha se koronavirusi mund të ndikojë në shumë organe të njeriut, përfshirë edhe në zemrën e një pacienti./abcnews.al