Nga John Bolton, Bloomberg
Kriza e Kanalit të Suezit e vitit 2021 është këtu me ne. Kanali është mbyllur, teksa është krijuar një trafik i madh mjetesh detare në të dyja anët e tij, Detin Mesdheu dhe Detin e Kuq. Për datën e rihapjes së tij nuk ka asgjë të sigurt, zinxhirët e furnizimeve po vihen nën presion, ndërsa drejtuesit janë të shqetësuar.
Termi “krizë” mund të duket si i gabuar në rastin konkret. Tek e fundit, nuk janë si tensionet e Luftës së Ftohtë, kur gjatë Krizës së Suezit të vitit 1956, kanali u mbyll për 6 muaj, teksa në të njëjtën kohë sovjetikët shtypnin më gjak Revolucionin Hungarez.
Dhe situata aktuale as nuk ka të krahasuar me armiqësinë arabo- izraelite si gjatë Luftës Gjashtë Ditore të vitit 1967, që bashkë me atë të Yom Kippur të vitit 1973, shkaktuan mbylljen e Kanalit të Suezit për 8 vjet.
Mesa duket bllokimi aktual u shkaktua nga kushtet e këqija të motit. Por asnjeri nuk duhet që të nënvlerësojë alarmin gjeostrategjik që dërgon ai në lidhje me potencialin që ka një sabotim politik. Ndërsa natyra e ka frymëzuar njeriun për të bërë art, ajo na ka frymëzuar edhe të urrejmë njeri-tjetrin.
Dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me gjeografinë, por edhe me rreziqet e sotme më të gjera politike mbi tregtinë globale, duke filluar nga bllokimi aksidental i një anijeje në Suez, deri në përballjen me sfidën e madhe politike, ushtarake dhe ekonomike të Kinës.
Në mënyrë të padiskutueshme, rreziqet politike po rriten tani nga burime që më parë nuk janë perceptuar. Pandemia e koronavirusit të ri, i ka ndërgjegjësuar grupimet terroriste, shtetet autoritare dhe fuqitë e mëdha, se armët biologjike (dhe ato kimike) kanë shumë më tepër fuqi shtrënguese se sa mendohej dikur.
Armë të tilla janë relativisht më të lehta për t’u prodhuar sesa ato bërthamore. Rreziqet e reja politike kanë ardhur pothuajse pa u vënë re. Për dekada me radhë, investimet e huaja dhe mbështetja tek Kina për lëndë të parë, u zgjerua aq shumë, sikur rreziku politik të ishte i parëndësishëm.
Kjo qasje ka marrë fund. Përplasja e ish-presidentit Donald Trump me Pekinin, që mezi mori formën e një “lufte tregtare”, vetëm sa nxori në pah rreziqet më të reja politike që kanë të bëjnë me Kinën.
Duke synuar që të mbrojnë veten e tyre, disa kompani të huaja kanë zhvendosur tashmë kapitalet dhe zinxhirët e furnizimit ne vendet të tjera të Azisë Juglindore, Indi dhe gjetkë.
Kjo tendencë po përshpejtohet. Dhe rreziku nga Kina vetëm sa do të rritet.
Goditja e fortë e Pekinit ndaj Hong Kongut dhe rënia e sundimit të ligjit në këtë qytet që ka pasur statusin e një enklave ndërkombëtare është më se e sigurt. Spiunazhi kibernetik, vjedhja e plotë e pronësisë intelektuale, diskriminimi ndaj kompanive të huaja, dhe shtypja e brendshme politike dhe fetare, po e bëjnë Kinën një vend gjithnjë e më të rrezikshëm.
Dhe ndërsa konfliktet politike midis Kinës dhe të Perëndimit po vazhdojnë të përshkallëzohen, edhe më e rrezikshme do të bëhet mbështetja tek burimet kineze të furnizimit. Shumë evropianë, investitorë në Wall Street dhe ekspertë të mirë-paguar, argumentojnë se rritja e tensioneve nuk është e pashmangshme.
Sigurisht, edhe rreziqet e të mbështeturit tek Kina, nuk do të përjashtojnë mundësinë e ndonjë lloj pranie në atë vend. Për këtë gjë ka mundësi të panumërta të ndërmjetme. Por në gati çdo fushë të biznesit, opsionet e ndërmjetme paralajmërojnë për një rrezik më të madh për çdo lloj furnizimi apo investimi që mund të planifikohet në Kinë.
Për më tepër , Kina është duke krijuar “pikat e saj të asfiksimit” gjeostrategjik, duke ndërtuar baza detare dhe ajrore në ishuj, shkëmbinj mbi dhe nën nënujorë që ajo pretendon se i përkasin në Detin e Kinës Jugore, duke e shpallur rajonin një provincë kineze.
Në Detin e Kinës Lindore, Pekini është duke kërcënuar Tajvanin dhe po sfidon Japoninë mbi sovranitetit e ishujve që quhen Senkaku në Japoni dhe Diaoyus në Kinë. Kjo sjellje agresive vendos në rrezik ekonomitë e Japonisë, Koresë së Jugut, Tajvanit dhe vendeve të Azisë Juglindore.
Është më se e qartë, se rreziqet gjeopolitike janë duke u rritur. Dhe për të zbutur disi këtë situatë, qeveritë dhe bizneset duhet të diversifikojnë zinxhirët e tyre të furnizimit dhe metodat e transportit, dhe të shmangin “pikat e asfiksimit” gjeografik dhe politik, të krijuara nga njeriu apo natyra.
Emiratet e Bashkuara Arabe janë treguar largpamëse duke ndërtuar një gazsjellës që anashkalon Ngushticën e Hormuzit. Edhe gazsjellësi “East-West Petroline”, që po ndërtohet nga Arabia Saudite në provincën lindore Yanbu deri në Detin e Kuq, është projektuar gjithashtu për të shmangur Ngushticën e Hormuzit.
Megjithatë, anijet duhet të kalojnë ose Kanalin e Suezit ose Ngushticën Bab El – Mandeb në jugun e Detit të Kuq, që është aktualisht e kërcënuar nga rebelët Huthi në Jemen (të cilët kanë sulmuar edhe East-West Petroline).
Vendet e Lindjes së Mesme,mund të marrin në konsideratë ndërtimin e gazsjellësve të tjerë përmes Jordanisë dhe deri në bregdetin e Izraelit. Irani mund të ketë pasur vetë në mendje një rrugë të tillë alternative,më synim shtrirjen e dominimit të tij ushtarak nëpërmjet Libanit dhe Sirisë në Detin Mesdhe.
E pse nuk duhet që kompanitë amerikane dhe evropiane të përqendrohen më shumë tek investimet dhe prodhimi në Hemisferën Perëndimore (apo në shtëpi) në vend se të investojnë në Kinë? Për sa kohë që ato shmangin shtete si Kuba, Nikaragua dhe Venezuela, rreziku politik do të ishte shumë më i ulët, për të mos përmendur kostot e transportit dhe humbjet gjatë transportit me anije.
Ndoshta Kriza e Suezit e këtij viti, do t’i detyrojë qeveritë dhe kompanitë perëndimore të veprojnë sipas rrethanave më të reja globale dhe rreziqeve të sigurisë që ato po hasin. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.l
Shënim: John Bolton, ka qenë këshilltar i sigurisë kombëtare nën presidentin Donald Trump, dhe ambasador i SHBA-së në OKB në kohën e presidentit George W.Bush. Ai është autor i librit “Dhoma ku ndodhën gjërat”.