Ekipet e shpëtimit, të mbështetura nga qen të trajnuar, po vijojnë kërkimet në vendin ku u rrëzua avioni Boeing 787 i Air India në një zonë të banuar të qytetit Ahmedabad, të enjten. Nga 242 persona që ndodheshin në bord, vetëm një ka mbijetuar, ndërsa më shumë se 20 banorë në ndërtesat që u goditën humbën jetën, duke e çuar numrin total të viktimave në të paktën 265.
Sipas gazetës Hindustan Times, një nga dy “kutitë e zeza” të avionit është gjetur tashmë. Autoriteti i Aviacionit Civil të Indisë ka nisur një hetim zyrtar, në përputhje me protokollet ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e ekspertëve nga Britania, SHBA-ja dhe përfaqësues të kompanisë Boeing.
NDTV raportoi të premten se qeveria indiane po shqyrton pezullimin e flotës së avionëve Boeing 787 të Air India, pas aksidentit që mori jetën e mbi 260 personave, sipas burimeve të Reuters.
Sipas oficerit të lartë të policisë, Kannan Desai, deri tani janë identifikuar 265 trupa, duke sugjeruar se të paktën 24 viktima ishin në tokë. Avioni u rrëzua mbi një konvikt studentësh, ku ndodheshin studentë mjekësie, mjekë dhe familjet e tyre. Rrotat e përparme dhe hunda e avionit goditën mensën në momentin kur studentët po konsumonin drekën.