Pas disa orësh operacion shpëtimi në det, katër turistët gjermanë dhe francezë, të cilët kishin humbur kontaktet me grupin tjetër që prej mbrëmjes së djeshme u sollën në Triport, në stacionin e Policisë Kufitare Vlorë.
Prej orës 8 të mëngjesit Policia dhe Roja Bregdetare morën alarmin SOS për disa turistë që ishin shkëputur nga grupi për të eksploruar Gjirin e Gramës.
Me detin 7 ballë dhe erërat e forta, anija e Rojeve Bregdetare pati kontakt vizual me turistët për t’i imbarkuar dhe më pas për zhvendosjen e tyre në drejtim të ishullit të Sazanit, ku i prisnin mjetet e Policisë Kufitare, të cilët i sollën në Triport. Një prej turistëve ishte kafshuar nga një qen dhe për këtë u kërkua prezenca e urgjencës, e cila dha ndihmën e parë mjekësore në Triport për të gjithë turistët.
“Jam nga Gjermania dhe gjithçka është në rregull. Ne kemi qenë duke ecur, eksploruar drejt plazhit të Gramës. Gjatë ecjes pata edhe incidentin, por fatmirësisht tani jam mire”
“Ne ishim duke bërë hiking prej mbrëmjes së djeshme. Kur po afroheshim pranë Gjirit të Gramës, u sulmuam nga një qen. Kërkuam për një vend të sigurt dhe më pas u strehuam në Gjirin e Gramës, pasi edhe persona të tjerë po na afroheshin. Arritëm që, nëpërmjet dritave të vogla, të qëndrojmë në Gjirin e Gramës, ku takuam edhe dy persona të tjerë. Më pas arritëm të njoftojmë policinë, të cilët na erdhën në ndihmë menjëherë dhe për këtë i falënderojmë”
“Kemi përshkuar një ecje prej gati tetë orësh deri sa kemi arritur në Gjirin e Gramës. Nuk kemi mundur të kthehemi më pas, kemi pritur aty dhe miqtë tanë që ndodheshin këtu kanë lajmëruar policinë. Tani jemi të sigurt, falë ndihmës së tyre dhe i falënderojmë shumë.”
“Faleminderit shumë, faleminderit për policinë dhe të gjithë ata që na ndihmuan. Unë jam nga Franca. Kemi pasur pak frikë, ishte e vështirë, por çdo gjë është OK. Na dhanë ushqim dhe ujë dhe i falënderojmë të gjithë.”
Brenda 24 orëve të fundit autoritetet detare kanë finalizuar me sukses tre operacione shpëtimi. Më herët gjatë së dielës policia kufitare iu erdhi në ndihmë edhe dy mjeteve të tjera lundruese që lëshuan alarmin SOS pasi mbetën në det të hapur./abcnews.al