Në autostradën Lushnjë-Fier, rreziku ndaj aksidenteve është rritur ndjeshëm. Kjo për shkak se mbikalimet nuk përdoren nga banorët në dy anët e rrugës.
Për të kaluar kryqëzimin këtë fermer e shoqëroi Policia Rrugore. Lëvizja e mjeteve në hyrje të autostradës Lushnje Fier u ndalua derisa kafsha e ngarkuar me bar kaloi në anën tjetër.
Fermeri: “Unë kam ecur 3 km rrugë. E bëj këtë rrugë 4 herë këtë unë nisa nga Savra do shkoj në Karbunarë. Ata vetëm për qytetarët bëjnë rrugë, po fshatarët, po nuk punoi fshati nuk ha qyteti”.
Nga Savra në Karbunar përgjatë 4 km kalojnë çdo ditë mjete bujqësore dhe kafshë. Qarkullimi bëhet në anën e kundërt për shkak të mungesës së rrugës dytësore.
Situata bëhet më problematike në kryqëzimin e vendit të quajtur pushimi i shoferit në Lushnjë.
Zona njihet si një ndër njollat e zeza, përsa i përket rrezikut nga aksidentet. Kalimi i këmbësorëve kryhet mes për mes autostradës. 20 metër nga kryqëzimi është ndërtuar mbikalimi, por që nuk përdoret.
Edhe xhepat e rrugës janë kthyer në venqendrim të autobusëve dhe furgonëve. Këtu pasagjerët qëndrojnë për orë të tëra duke pritur mjetet e transportit.
Kapërcimi i rrugës duke kaluar para makinave dhe lëvizja në krahun e kundërt e kanë kthyer autostradën Lushnje- Fier në zonën më të rrezikshme.
Duket se as shtimi i patrullave të policisë rrugore dhe as përmirësimi i sinjalistikës nuk do e heqin këtë segment nga lista e zezë e aksidenteve.
Gazetare e ABC News, Lushnje: Anila Sefa