Rreziku nga rrjetet sociale/ Lamallari: Vitin e kaluar, rastet u rritën me 40 përqind. Ja kërkesat që i parashtruam drejtorit të TikTok

schedule18:38 - 19 Shkurt, 2024

schedule 18:38 - 19 Shkurt, 2024

Komisioni Evropian njofton se do të nisë procedurat e hetimit për rrjetin social TikTok me bazë në Kinë. Hetimi vjen pas raporteve se rrjeti social nuk u është përmbajtur detyrimeve që ka sipas rregullave të unionit për mbrojtjen e fëmijëve. Nëse dyshimet vërtetohen, rrjeti social rrezikon një gjobë të majme.

Edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla takoi drejtorin e TikTok për Politikat Publike dhe Marrëdhëniet me Qeverinë për Evropën Qendrore dhe Lindore, Jakub Olek, të cilit i kërkoi vëmendje më të shtuar sa i përket kontrolleve të postimeve në gjuhën shqipe dhe kontakt të drejtpërdrejtë me policinë e shtetit.

Zëvendës ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i ftuar në “Special Report” me gazetarin Arlind Isa, theksoi se ka pasur një rritje prej më shumë se 40 përqind të rasteve të abuzimit në rrjete sociale sa i përket periudhës 2022-2023. Më tej, ai ndau edhe detaje nga takimi i Ballës me zyrtarin e kompanisë.

Ai tha se ministri ka kërkuar që kompania të mbajë kontakt të drejtpërdrejtë me policinë e shtetit për rastet e denoncimeve, shtimin e elementëve të përdorimit në gjuhën shqipe si edhe shtimin e filtrave që iu mundësojnë prindërve të kontrollojnë përmbajtjen që aksesojnë fëmijët në këtë rrjet social.

“Shqipëria ka marrë masat në këtë drejtim për përmirësimet e duhura ligjore dhe ministria e Brendshme ka marrë rolin e angazhimit dhe të përfshirjes së çdo eksperti për të bërë të mundur përafrimin e kuadrit ligjor jo vetëm me standartet evropiane për t’u garantuar prindërve mbrojtjen e fëmijëve por edhe nga takimi me drejtorin e TikTok për Evropën Qendrore dhe Lindore, ndamë shqetësimet në lidhje me statistikat që përmenda më parë.

Ndamë nevojën për rritje të vigjilencës dhe detyrimin e kompanisë për të garantuar sigurinë e përdoruesve dhe filtrimin e atyre elementëve që tregojnë dhunë dhe janë edhe shkak për hetime të organeve ligjzbatuese. U pranua edhe nga ana e përfaqësuesit shqetësimi dhe nevoja për të ngritur pikat e kontaktit që të ketë bashkëpunim 24 orë për t’ja përcjellë pikave të kontaktit të kompanisë.

Të nesërmen do të të ketë një takim me vetë të rinjtë që do të zhvillohet në Tumoo, ku ata do të prezantojnë shqetësimet e tyre. Ekipi do të rrijë disa ditë në Shqipëri për të marrë masat e nevojshme. Vlen të përmendet një kërkesë e fortë nga ana jonë që ka të bëjë me elementë të përdorimit në gjuhën shqipe të platformës por dhe shtimit të kontrollit prindëror, filtra që duhet të garantohen nga kompania që prindërit të kenë kontroll mbi përmbajtjen.”, u shpreh ai./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!