Ish-ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli deklaroi në “Log.” në ABC me gazetarin Endri Xhafo se marrëdhëniet e Shqipërisë me Kinën mund të shihen në dy aspekte, si një vend i pavarur dhe si shtet anëtar i NATO-s. Kodheli u shpreh se NATO ka politikat e saj mbrojtëse dhe nuk do të jetë në veprim sulmi me asnjë vend për cilin ka rezervat e veta.
“Unë mendoj që duhet të konsiderohet në dy aspekte marrëdhënia me Kinën. Shqipëria si një vend i pavarur dhe Shqipëria si anëtar i NATO-s. Që nga viti 2009 kemi një linjë të mirëpërcaktuar që ne i marrim bashkarisht sa herë që ulemi në tryezën e NATO-s. Në Samitin e Brukselit vendet anëtare të NATO-s, dolën me një deklaratë për raportet me Kinë. NATO ka politika mbrojtëse. Nuk do të jetë në veprim sulmi me asnjë vend për të cilat NATO ka rezervat e veta.
Nga ana tjetër vende të një peshe të caktuar brenda aleancës së veriut kanë marrëdhënie bilaterale me Kinën. Në Samitin e Brukselit para disa ditësh u tha se Kina ka sjellë një rrezik për vendet e NATO-s. I referohem çdo investimi të padakordësuar që Kina bën në hapësirë. Ka një sektor të rëndësishëm që është ai i armëkontrollit. Ka një raport mbi atë që prodhon çfarë apo kush investon ku. Kjo krijon një shqetësim për NATO-n”, deklaroi Kodheli.
Ajo theksoi se në raport me Kinën, nga ana e administratës Biden janë bërë përparime në krahasim me Donald Trump duke zbutur përplasjen që ekzistonte më parë, por shtoi se raporti i Kinës me Rusinë shqetësoi aleancën e NATO-s.
“Unë besoj dhe mendoj që janë bërë hapa përpara nga Biden, krahasuar me administratën Trump. Është rënë në një marrëveshje të re që ka zbutur përplasjen e mëparshëm që ekzistonte. Kina shumë shpejt do kthehet në vendin me potencialin më të madh ekonomik. Ky përbën një element që duhet marrë në konsideratë.
Kina ka hyrë në marrëdhënie të drejtpërdrejta me Rusinë. Pikërisht kjo marrëveshje mes dy presidentëve të këtyre dy vendeve ka shqetësuar aleancën. Kjo ka nevojë për një strategji të përcaktuar në dokumentin final që ka dalë nga samite i Brukselit. Mendoj që sidomos investimet në fusha kibernetike apo të mënyrave të tjera, me të cilat sot luftohet më shumë se me ato klasiket që njohim ne, sjell në vëmendje të aleancës këtë fakt. Fakti që ka element të ndërhyrjes përmes kësaj fushe, krijon shqetësim për vendet e perëndimit dhe SHBA në mënyrë të veçantë”, u shpreh Kodheli. m.v/abcnews.al