Rreziku nga aksidentet Qafë Thanë – Kapshticë, rruga ndërpritet 600 herë

schedule16:50 - 14 Tetor, 2019

schedule 16:50 - 14 Tetor, 2019

Në rrugën Qafë Thanë – Kapshticë pak kush respekton sinjalistiken dhe për këtë shkak qe kthyer nga rrugët risk të lartë. Në të gjithë gjatësinë e segmentit Qafë Thanë -Kapshticë, policia ka evidentuar mbi 600 ndërprerje të rrugës nacionale,të cilat janë potencialisht burim aksidentesh.

Tabelat paralajmëruese dhe detyruese, nuk respektohen. Sidomos kur bëhet fjalë për kufizimin e shpejtësisë, drejtuesit e mjeteve kanë tendencë ta tejkalojnë.

Aksi nacional që lidh Korçën me Kapshticën dhe Qafë-Thanën, është i rrezikshëm, si për drejtuesit e mjeteve ashtu edhe për këmbësorët.

Mungesa e mbikalimeve dhe nënkalimeve në disa kryqëzime, vlerësohet si shkaku kryesor i aksidenteve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin.

Më problematik është kryqëzimi i Pojanit, në segmentin Korçë-Kapshticë, ku bilanci i viktimave është në rritje.

Drejtuesit e mjeteve ankohen se dalja nga rrugët e fshatit në rrugën nacionale bëhet burim i vazhdueshëm aksidentesh. Po ashtu kalimi i mjeteve bujqësore, mbart të njëjtin rrezik.

Për këmbësorët, kalimi nga një anë e rrugës në tjetrën, mund të rezultojë fatal. Të lëvizin mes makinave që qarkullojnë me shpejtësi, për banorët e zonës është bërë e zakonshme edhe pse e dinë, se kjo mund t’ju kushtojë jetën.

Ndërtimi i mbikalimeve ose nënkalimeve, kërkohet nga  përdoruesit e rrugës, por edhe policia e qarkullimit, si e vetmja zgjidhje, që garanton sigurinë rrugore.

Në të gjithë gjatësinë e segmentit Qafë -Thanë -Kapshticë, policia ka evidentuar mbi 600 ndërprerje të rrugës nacionale, të cilat janë potencialisht burim aksidentesh.

Muajt e verës shënuan dhjetëra aksidente në rrugët e juglindjes, edhe për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit, përpos standarteve të munguara të rrugëve.

Ndëshkimi me masa administrative dhe penale, të shkelësve të Kodit Rrugor, nuk ka ndikuar në reduktimin e tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!