Rreziku me të cilin po përballen qytetarët shqiptarë që po presin në Kapshticë

schedule12:38 - 29 Gusht, 2020

schedule 12:38 - 29 Gusht, 2020

Pika Kufitare në Kapshticë vijon të jetë shqetësuese për qytetarët shqiptarë që presin të kalojnë kufirin.

Mësohet se është pezulluar puna nga autoritetet greke dhe nuk lejohet asnjë qytetar të kalojë kufirin për shkak të plotësimit të kuotës, ndërsa skadimi i afatit të tamponit mbetet një tjetër problem.

Gazetarja Lediona Xheladinaj raportoi për Abcnews.al se shqetësimi kryesor i qytetarëve mbetet afati i skadimit të tamponit, pasi ata tregojnë se nuk kanë mundësi ta bëjnë sërish dhe kërkojnë që të mos pengohen për të kaluar.

Lexo edhe: VIDEO/ Qytetarët në Kapshticë shfaqin probleme shëndetësore, mbërrin ambulanca

“Vij nga Korça, kisha radhën për të ikur sot. Tamponët i kemi bërë. Nuk e di tani si do veprohet. Nuk kam më para për të bërë sërish tampon”, shprehet një qytetare.

Po ashtu qytetarët e bllokuar tregojnë se pavarësisht se e kanë realizuar tamponin, kuota për të kaluar 300 persona është plotësuar dhe kjo ka sjellë edhe bllokimin e tyre ,të cilët vijojnë të presin në temperatura të larta në pikën Kufitare në Kapshticë.

“Nuk kam mundësi të bëj sërish tampon, jemi 5 anëtarë në familje”, tregon një tjetër qytetar, ndërsa bën thirrje që qeveria të ndërhyjë pasi i kanë realizuar të gjitha procedurat e kërkuara. Ata shtojnë se do të qëndrojnë në kufi deri sa të kalojnë edhe nëse do të duhet të qëndrojnë me ditë.

Gazetarja Lediona Xheladinaj tha për Abcnews.al se disa prej qytetarëve janë shprehur se nuk kanë qenë në dijeni se për të kaluar duhet të plotësohej një kuotë prej 300 personash.

Ndërkohë që të bllokuar mbeten familjarë me të moshuar, fëmijë, të sëmurë në pritje për të kaluar kufirin./abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!