Gjyqi kundër ish-ministrit të Brendshëm Matteo Salvini ka nisur sot në Palermo për akuzën e privimit të lirisë të 147 refugjatëve që ishin në bordin e një anijeje në gusht të 2019.
Salvini, i cili në atë kohë ishte ministër i Brendshëm, nuk kishte dhënë lejen e nevojshme që anija të ankorohej për disa ditë. Në gjyq do të merren në pyetje gjithsej 26 dëshmitarë dhe nëse dënohet, atë e presin maksimumi 15 vite në burg.
“Nuk është përgjegjësia ime, por përgjegjësi kolektive e qeverisë së atëhershme Conte”, tha Salvini.
Gjyqi i radhës është caktuar për 17 dhjetor.
“Të shpëtosh jetë nuk është një krim, por një detyrim jo vetëm i çdo guvernatori, por i të gjitha shteteve. Zgjedhja e një porti të sigurt është një akt humanitar,” tha Oscar Camps, themelues dhe drejtor i OJQ-së Open Arms.
Ndërkohë, sot në Pozzalo të Siçilisë zbarkuan 406 refugjatë. Mes tyre janë 152 të mitur. Në bord ndodhej edhe një foshnjë tetë ditëshe, e cila ka lindur në bord. /abcnews.al/