Gjykata Kushtetuese në Maqedoninë e Veriut do të vendosë në shtator nëse do ta lërë në fuqi apo do ta shfuqizojë Ligjin për Gjuhën. Nëse do të ndodhë kjo e dyta, gjuha shqipe nuk do të jetë gjuhë e dytë zyrtare në Shkup.
Koalicioni VLEN, partitë shqiptare në bashkëqeverisje me VMRO e kanë konsideruar nismën për kontestimin e dygjuhësisë si tentativë për grusht shteti. Një reagim i fortë ka ardhur edhe nga Fronti Europian, koalicioni i partive shqiptare opozitare i përbërë nga BDI dhe Aleanca për Shqiptarët të cilët bëjnë thirrje të mos preket gjuha shqipe.
Lidhur me këtë çështje ka folur në një lidhje me Skype për “Ballkan Update”, analisti nga Shkupi, Blerim Hyseni, i cili u shpreh se mendohej si një çështje e mbyllur, por doli sërish në skenë.
Ai ka thënë se shqiptarët në Maqedoni nuk duhet ta tolerojnë si çështje.
“Sigurisht që kjo është maja e ajsbergut, pasi në Maqedoni për vite të tëra janë bërë përpjekje nga subjekte politike për gjuhën shqipe. Kjo ka qene e paraparë me marrëveshjen e Ohrit, ku në Maqedoni gjuhë zyrtare të jetë dhe gjuha shqipe. Sado që interpretimet këtu kanë qene të ndryshme.
Megjithatë të habit fakti që sado që u mendua që kjo çështje është mbyllur një herë e mirë dhe gjuha shqipe filloi të zbatohej nga ana e institucioneve të shtetit, për habi del Gjykata Kushtetuese dhe merr në shqyrtim që është parashtruar që në vitin 2019. Do të thotë kjo iniciativë është ruajtur në sirtarët e Gjykatës Kushtetuese. Subjektet politike maqedonase janë krekosur se mund të prekin dhe zbatimin e gjuhës shqipe. Unë do të thoja që çdo ngacmim me ligjin për gjuhën shqipe dhe çdo vendim i Gjykatës Kushtetuese që do të reflektonte në zvogëlimin e gjuhës shqipes, shqiptarët do t’i prekë. Prandaj, në këtë çështje është fundi i asaj që shqiptarët po përjetojnë që nga fillimi i qeverisë së re në këto dy muaj e disa ditë dhe kjo është një kolonë provokuese se ku mund të shkojë durimi i shqiptarëve, duke tkurrur të drejtat e tyre”, u shpreh Hyseni./abcnews.al